Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenski ka ngritur sërish alarmin për atë që e pret Ukrainën në ditët në vijim. Lideri ukrainas thotë se objektivi kryesor i forcave ruse është zona lindore e vendit. Kurse këshilltari i tij, Oleksej Arestoviç, ka thënë se në rast se Rusia sërish granaton Kievin, atëherë Ukraina do ta granaton Moskën. I pyetur se pse deri tani nuk është bë një gjë e tillë, Arestoviç ka thënë se çdo luftë ka fazat e veta të eskalimit.
“Nëse ata duan eskalim, atëherë situata do të eskalojë”, ka thënë Arestoviç për “Fegin Live”.
“Gjatë 50 ditëve të pushtimit ata treguan se Donbasi është objektivi kryesor i Rusisë. Është Donbasi që Rusia dëshiron ta shkatërrojë në radhë të parë. Janë rajonet e Donetskut dhe Luhanskut që trupat ruse po i shkatërrojnë në një mënyrë sikur të donin vetëm gurë të mbetur pa njerëz fare”, deklaroi Volodymyr Zelenski, President i Ukrainës.
Forcat ukrainase thanë se kanë zmbrapsur përpjekjet e forcave ruse për të depërtuar në fshatin Krasnohorivka, në rajonin lindor ukrainas të Donbasit. Një ushtar ukrainas tregon se njësia e tij ndaloi përparimin e shtatë tankeve ruse, të cilat po përpiqen që të krijojnë një korridor në perëndim të qytetit të Donjeckut.
“Dëgjuam zhurmën e makinave ushtarake, katër tanke ishin të parat që sulmuan, ne i zmbrapsëm pastaj pati edhe një përpjekje. Në këtë përpjekje morën pjesë shtatë tanke, një raketahedhës dhe dy automjete luftarake këmbësorie”, u shpreh Viktor, ushtar. Zyrtarët e qytetit të Mariupol kanë deklaruar se pushtuesit kanë nisur të zhvarrosin trupat e varrosur në oborret dhe qendrat e banimit. Sipas një postimi në rrjetet sociale të këshillit të qytetit, pushtuesit nuk po lejojnë banorët që të varrosin të afërmit e tyre, sipas BBC. Ka 13 krematoriume të lëvizshme në Mariupol, sipas Ukrainës, dhe autoritetet e qytetit dyshojnë se rusët po përpiqen të mbulojnë krimet e luftës.
Banorët e një fshati në rajonin e Kharkivit kujtuan kohën që kaluan nën pushtimin rus. Shtëpitë e djegura dhe makinat e braktisura janë një kujtesë e zymtë e sulmeve ruse. Advokat, një ushtarak ukrainas, tha se banorët e Husarovka nuk u lejuan të merrnin trupat e të afërmve të tyre për dhjetë ditë.
“Me sa di unë, këtu lëvizte një familje – burri, gruaja dhe fëmija i tyre trevjeçar. Siç thonë banorët atyre nuk u është lejuar t’i nxjerrin kufomat për dhjetë ditë”, tha një ushtar ukrainas.
“Djemtë thanë se një nga rusët që u dorëzuan tha “Unë nuk dua të qëlloj, por është urdhër të qëllosh civilë, të vrasësh”. Dhe ata qëllonin. Ata po qëllonin fëmijët dhe nipërit tanë”, theksoi Lyubov Mishçenko, banor.
Çdo ditë, tragjeditë shtohen, duke krijuar një grumbull të pakapërcyeshëm faktesh që duhen vërtetuar dhe shpëtuar. Prokurorja e Përgjithshme e Ukrainës, Iryna Venediktova është në vijën e parë të një beteje ligjore për të kërkuar llogari Rusinë për mizoritë e kryera në vendin e saj.
“Unë mbroj interesin publik të qytetarëve ukrainas. Dhe tani shoh se nuk mund t’i mbroj këta fëmijë të vdekur. Dhe për mua është dhimbje. E kuptoj që Mariupol është qytet peng dhe nuk mund ta mbroj. Synimi im kryesor është të ndaloj këtë agresion në çdo mënyrë ligjore që mundem”, deklaroi Iryna Venediktova, Prokurorja e Përgjithshme e Ukrainës.
Zyra e saj ka hapur tashmë mbi 8,000 hetime kriminale në lidhje me luftën dhe ka identifikuar mbi 500 të dyshuar, duke përfshirë ministra rusë, komandantë ushtarakë dhe propagandues.
Ndërkohë Moska ka paralajmëruar SHBA-në se mund të përballet me “pasoja të paparashikueshme” nëse Uashingtoni vazhdon të dërgojë armë në Ukrainë, sipas raporteve të Washington Post. Deri më tani, SHBA-ja ka miratuar gjithsej 1.7 miliardë dollarë ndihmë amerikane për Ukrainën. Në fillim të këtij muaji, administra Biden miratoi gjithashtu 100 milionë dollarë armë antitank Javelin, nga stoqet e ushtrisë amerikane.