Studentët e muzikës të UT-së sot nuk janë paraqitur në Ligjërata. Pas protestës së djeshme, studentët thanë se me shkrim e kanë njoftuar dekanatin që do të bojkotojnë mësimin deri në përmbushjen e kërkesës së tyre për largimin e profesores, Besiana Mehmedi, të cilën e akuzojnë se ka fyer dhe kërcënuar studentët.
“Studentët e vitit I,II,III, IV janë në bojkot total dhe për këtë gjë ne kemi dorëzuar një deklaratë deri në dekanat, ku kanë nënshkruar kryetarët e katër grupeve. Po ashtu ditën e hënë studentët do të mbajnë një mbledhje për të diskutuar se çfarë hapash do të marrin më tej dhe për çdo vendim që do të marrin do t’u njoftojmë ditët në vijim”, thonë Grupi i Studentëve.
Por sipas dekanit të fakultetit të Arteve, Nafi Jashari, këshilli tashmë ka marrë vendim dhe studentët duhet të kthehen në ligjërata. Dekani madje thotë se edhe ndaj studentëve mund të shqiptohen masa.
Dekanati më datë 12 prill i shqiptoi vërejtje profesores ndërsa studentëve u ofroi mundësinë që të zgjedhin se me cilin profesor do të ndjekin lëndën. Por ky vendin i dekanatit u refuzua nga studentët.