
Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut, ka marrë sot vendim që të hiqen maskat.
Maskat do të hiqen në ambientet e mbyllura dhe për nxënësit e shkollave të mesme. po ashtu Qeveria vendosi të shfuqizohet ndalesa për organizimin e ekskurzioneve dhe mësimit në natyrë për nxënësit e shkollave fillore dhe të mesme.
Mbajtja e obligueshme e maskave mbetet në fuqi në Shtëpitë e Shëndetit, barnatore, transportin publik dhe institucionet për kujdesin e të moshuarve.
Këtë lajm të mirë e dha edhe zv.kryeministri i parë, Artan Grubi
“Në seancën e sotme të Qeverisë shqyrtuam rekomandimet e Komisionit për Sëmundje Infektive për lehtësimin e masave anti – Covid dhe në përputhje me situatën e përmirësuar epidemiologjikе miratuam këto vendime:
👉🏻 shfuqizohet masa për mbajtjen e obligueshme të maskave mbrojtëse në ambiente të mbyllura përveç në shtëpitë e shëndetit, barnatore, mjetet e transportit publik (autobus, tren, aeroplan, taksi), institucionet e përkujdesit për personat e moshuar dhe personat me nevoja të posaçme;
👉🏻nxënësit e shkollave të mesme mund të ndjekin mësim me prezencë fizike pa mbajtje të obligueshme të maskave mbrojtëse;
👉🏻shfuqizohet ndalesa për organizimin e ekskurzioneve dhe mësimit në natyrë në shkollat fillore dhe shkollat e mesme dhe
👉🏻 lejohet puna me prezencë fizike e komisioneve mjekësore për përcaktimin e kompensimeve për invaliditet dhe komisioneve për përcaktimin e së drejtës për ndihmë dhe përkujdes nga person tjetër.” ka shkruar Grubi.
