Gastronomët nga rajoni i Ohrit dhe Strugës synojnë që mungesën e fuqisë punëtore, veçanërisht gjatë sezonit veror, ta zgjidhin me punësime afatshkurtër të personave të punësuar në aktivitete të tjera. Për këtë qëllim është vënë në funksion një platformë e posaçme ku përmes një databaze do të mund të aplikojnë të gjithë të interesuarit, por edhe pronarët e hoteleve, restoranteve, punëdhënësit do të mund të kontaktojnë drejtpërdrejt me punëtorët e interesuar.
“Është e hapur për këdo që është i interesuar të punojë ekstra, pas orarit të punës ose dikush që nuk punon askund, mbi këtë bazë mund të punojë nëntë ditë në muaj, te një punëdhënës. Qëllimi i këtij projekti është të motivojë punëdhënësit që të paraqesin punëtorë të tillë, t’i paguajnë në kohë dhe t’ua paguajnë të gjitha kontributet”, tha Zoran Mihajlovski-hotelier
Deri më tani kanë aplikuar rreth pesëdhjetë persona. Por nga shoqata e hoteleve thonë se kjo nuk mjafton, duke pasur parasysh nevojën e madhe që kanë për fuqi punëtore. Ata do të fillojnë të shtypin materiale promovuese. Para fillimit të punës, këta persona do t’i nënshtrohen trajnimeve të duhura, në mënyrë që të përshtaten me punën në këtë sektor. Masa do të jetë e vlefshme për periudhën nga 1 maji deri më 31 gusht.
“Këto masa sigurisht që nuk do ta zgjidhin problemin e punës në këtë sektor. Por situata do të zbutet pak. Target do të ishin sektorët tjerë, të punësuarit në sektorë të tjerë, qoftë në industrinë e tekstilit apo në ndonjë tjetër, të cilët dëshirojnë të punojnë më shumë se sa orari i tyre i punës atje, 1500 denarë do të jetë mëditja për banakierët dhe kamarierët, ndërsa për kuzhinierët e klasës së parë, mëditja do të jetë 3000 denarë”, tha Krste Bllazheski – hotelier
Synimi tjetër është të kërkohet ndryshimi i rregullativës ligjore dhe përjashtimi nga detyrime të caktuara.
“Në bazë të këtij projekti do të gjenerohen të dhëna me të cilat shpresojmë që me ndihmën e Organizatës Ndërkombëtare të Punës të mund të veprojmë para qeverisë dhe institucioneve, për ndryshimin e rregullativës ligjore në lidhje me mënyrën e aplikimit për punësim afatshkurtër dhe ulje të kostove”, tha Sllavica Gashoska – HOTAM
Pagat do të sigurohen nga punëdhënësit, ndërsa fondet për pagesën e kontributeve do të sigurohen përmes një projekti të financuar nga BE-ja.