Gjermania dhe aleatët e saj do të miratojnë sanksione të reja kundër Rusisë dhe do t’i ofrojnë më shumë armë Ukrainës për të detyruar Kremlinin t’i japë fund luftës së tij të agresionit, tha kancelari gjerman Olaf Scholz, raporton Anadolu Agency (AA).
“Duhet të mbetet synimi ynë që Rusia të mos e fitojë këtë luftë”, u tha Scholz ligjvënësve gjermanë gjatë një seance me pyetje dhe përgjigje në Bundestag, dhomën e ulët të parlamentit.
Ai tha se sanksionet e ashpra ndaj Rusisë, ndihma shtesë ushtarake dhe mbështetja financiare për Ukrainën, të gjitha do të ndihmojnë për të arritur këtë qëllim.
Udhëheqësi gjerman akuzoi forcat ruse për krime lufte në Ukrainë dhe gjithashtu hodhi poshtë pretendimin e Rusisë se masakra e Buçës ishte inskenuar nga ukrainasit pasi trupat e saj u larguan nga qyteti.
“Ushtarët rusë masakruan qytetarët ukrainas, duke përfshirë fëmijë, gra dhe të moshuar, përpara se të tërhiqeshin nga qyteti”, tha ai.
“Vrasja e civilëve është krim lufte. Për të qenë të qartë: autorët dhe porositësit duhet të mbajnë përgjegjësi”, shtoi ai.
Scholz tha se vendet anëtare të BE-së janë afër finalizimit të një pakete të pestë sanksionesh ndaj Rusisë në përgjigje të raportimeve të fundit që vijnë nga Ukraina.
Që nga fillimi i luftës së Rusisë kundër Ukrainës më 24 shkurt, sipas vlerësimeve të OKB-së, të paktën 1.563 civilë janë vrarë dhe 2.213 janë plagosur.
Më shumë se 4,27 milionë ukrainas kanë ikur gjithashtu në vende të tjera, kurse miliona të tjerë janë zhvendosur brenda vendit.