Shqipëria shënon 13-vjetorin e anëtarësimit në NATO

Shqipëria këtë prill shënon 13-vjetorin e anëtarësimit të saj në NATO, mes një procesi reformimi dhe modernizimi të forcave të armatosura, por edhe aspekteve të tjera që lidhen me sigurinë dhe mbrojtjen e vendit.

– Procesi i anëtarësimit të Shqipërisë në NATO

Gjatë regjimit komunist Shqipëria ishte pjesë e Traktatit të Varshavës, blloku ushtarak i vendeve komuniste të Evropës, ku ishte anëtarësuar që në vitin 1955, ndërsa u largua nga ky bllok në vitin 1968. Pas përmbysjes së regjimit komunist në vitin 1991, në vend u përcaktua orientimi euro-atlantik, dukë nisur edhe procesi i anëtarësimit në organizatat dhe nismat ndërkombëtare.

Procesi i anëtarësimit të Shqipërisë në NATO ka kaluar në disa faza dhe zhvillime, që fillojnë në vitin 1992, me pranimin e vendit zyrtarisht në Këshillin e Bashkëpunimit të Atlantikut të Veriut (NACC), që ishte organizmi i parë që krijoi Aleanca për të ndërtuar marrëdhëniet me shtetet që dolën nga regjimet komuniste në Evropën.

Deri në ftesën për anëtarësim në vitin 2008, autoritetet shqiptare vazhduan përpjekjet rreth procesit të anëtarësimit duke u përfshirë në iniciativa të ndryshme dhe nënshkrimin e disa dokumenteve që do t’i hapnin rrugën procesit të anëtarësimit të plotë 13 vite më parë.

Një nga momentet e rëndësishme para anëtarësimit është maji i vitit 2003, kur Shqipëria, Kroacia dhe Maqedonia e Veriut së bashku me SHBA-në nënshkruan “Kartën Adriatik 3 – SHBA”, që sipas autoriteteve shqiptare u konsiderua si një nismë që do të përgatiste anëtarësimin e vendeve në NATO, shkruan Anadolu, transmeton Klankosova.tv.

Shqipëria mori ftesën për anëtarësim në samitin e Bukureshtit më 2 prill të vitit 2008. Më 25 prill të po të njëjtit vit Shqipëria filloi zyrtarisht bisedimet për anëtarësimin në NATO, që përfshinin disa çështje politike, ushtarake, sigurie dhe ligjore, ndërsa më 9 korrik të këtij viti vendet anëtare të NATO-s nënshkruan në Bruksel protokollet e anëtarësimit me Shqipërinë dhe Kroacinë.

Pas përfundimit të ratifikimit të protokollit të anëtarësimit nga të gjitha vendet anëtare dhe depozitimit të instrumentit të aderimit në NATO në Departamentin Amerikan të Shtetit, Shqipëria u anëtarësua zyrtarisht në NATO më 1 prill të vitit 2009.

Shqipëria mori pjesë për herë të parë si anëtare me të drejta të plota e Organizatës së Traktatit të Atlantikut Verior në samitin që u mbajt në Strasbourg/Kehl më 4 prill të vitit 2009, ndërkohë që më 7 prill në selinë e Aleancës në Bruksel u zhvillua ceremonia zyrtare e ngritjes së flamujve të Shqipërisë dhe Kroacisë në NATO.

– Rritja e bashkëpunimit Shqipëri-NATO

Që nga anëtarësimi, 13 vite më parë, autoritet shqiptare kanë nisur të zbatojnë planin e integrimit që nënkupton reformimin e thellë të sektorit të sigurisë e mbrojtjes me qëllim ndërveprimin e plotë me NATO-n.

Shqipëria dhe NATO prej vitesh bashkëpunojnë në disa fusha, me theks të veçantë në reformën e sektorit të mbrojtjes dhe sigurisë, si dhe mbështetjen për një reformë të institucioneve të mbrojtjes.

Ndërkohë, marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Aleancës hynë në një stad të ri, pas vendimit të NATO-s për të ndërtuar një bazë taktike ajrore në Kuçovë, që konsiderohet baza e parë ajrore e Aleancës në Ballkanin Perëndimor.

Projekti në fjalë, i cili ka nisur zbatimin në janar të vitit 2022 dhe që është në vlerë prej rreth 45,8 milionë eurove, përfshin punimet që do të përmirësojnë infrastrukturën për kontrollin dhe sigurinë e fluturimeve, pistën, rrugët lidhëse, si dhe asetet e tjera ndihmëse.

– Kontributi i Shqipërisë në misione para dhe pas anëtarësimit

Para dhe pas anëtarësimit në NATO, Shqipëria ka ofruar kontributin e saj në operacionet ndërkombëtare të paqes të drejtuara nga NATO, por edhe nga Bashkimi Evropian (BE) dhe Organizata e Kombeve të Bashkuara (OKB).

Forcat e Armatosura të Shqipërisë janë bërë pjesë e disa operacioneve dhe misioneve ndërkombëtare në Kosovë, Bosnjë e Hercegovinë, Mali, Detin Egje, Letoni, Irak, Afganistan, Çad, Gjeorgji dhe Sudanin e Jugut.

Sipas të dhënave zyrtare nga Ministria e Mbrojtjes e Shqipërisë, në operacione ushtarake të drejtuara nga NATO, BE dhe OKB, nga muaji shtator i vitit 1996 dhe deri në muajin dhjetor të vitit 2021 janë angazhuar gjithsej 8.105 ushtarakë shqiptarë.