
Presidenti francez Emmanuel Macron ka reaguar pasi homologu amerikan Joe Biden e quajti Vladimir Putinin “kasap”. Macron duket se nuk pajtohet me etiketimin e Biden.
“Nuk do të përdorja terma të tillë sepse jam ende në bisedime me presidentin Putin”, tha Macron gjatë një interviste, raporton CNN.
Pasi fillimisht u përpoq të minimizonte një rivalitet personal midis tij dhe Putinit, Biden ka ashpërsuar retorikën e tij kundër Putinit gjatë 10 ditëve të fundit. Javën e kaluar, Biden për herë të parë e quajti Putinin një “kriminel lufte” dhe më pas si një “diktator vrasës, një bandit që po bën një luftë imorale kundër popullit të Ukrainës”.
Macron shtoi: “Qëllimi ynë është të ndalojmë luftën e nisur nga Rusia në Ukrainë, duke shmangur një luftë dhe përshkallëzim”.
Para fillimit të pushtimit rus të Ukrainës, Macron u shfaq si një figurë qendrore në përpjekjet diplomatike të Evropës për të shpërndarë situatën midis Moskës dhe Perëndimit. Udhëheqësi francez u angazhua vazhdimisht me Putinin në përpjekje për të shmangur luftën.