
Madeleine Albright, gruaja e parë sekretare e shtetit të SHBA-së dhe mike e madhe e shqiptarëve, e cila ndihmoi në drejtimin e politikës së jashtme perëndimore pas Luftës së Ftohtë, ka vdekur. Ajo ishte 84 vjeç.
Vdekja e saj u konfirmua në një email drejtuar stafit të Albright Stonebridge Group, një firmë strategjike globale e themeluar nga Albright.
Albright ishte një figurë qendrore në administratën e Presidentit Bill Clinton, së pari shërbeu si ambasador i SHBA në Kombet e Bashkuara përpara se të bëhej diplomati më i lartë i vendit në mandatin e tij të dytë. Ajo mbrojti zgjerimin e NATO-s, nxiti që aleanca të ndërhynte në Ballkan për të ndaluar gjenocidin dhe spastrimin etnik, u përpoq të reduktonte përhapjen e armëve bërthamore dhe mbrojti të drejtat e njeriut dhe demokracinë në të gjithë globin.
