Bekteshi: Rezervat shtetërore garantojnë stabilitet sa i përket grurit 

Rezervat shtetërore bashkë me ato private garantojnë stabilitet sa i përket grurit, në krahasim me nevojat e konsumit të brendshëm për një vit. Për një vit në vend prodhohen rreth 250 mijë ton grurë, ndërsa konsumi në nivel vjetor, është rreth 300 mijë ton, që bashkë me kompanitë private, sipas ministrit të ekonomisë siguron që mos të ketë mungesë të grurit e miellit .

“Deri në korrjen e ardhshme rreth fundit të korrikut dhe fillimit të gushtit, gjitha rezervat shtetërore dhe ato private e plotësojnë atë që është nevojë e tregut të brendshëm, ndërkohë me Serbinë, edhe me vendet tjera të rajonit që kemi marrëveshje bashkëpunimi, siç është ajo e CEFTA-s dhe marrëveshjes bilaterale qoftë në pjesën e bujqësisë apo pjesët tjera të industrisë, jemi të gatshëm që të bisedojmë që rajoni sa më lehtë ta kalojë këtë krizë globale”, deklaroi Kreshnik Bekteshi, Ministër i Ekonomisë.