Çmimet e naftës mund të nxisin shtrenjtimin edhe të produkteve të tjera

Pas reagimeve të qytetarëve, për rritjen e çmimit të karburanteve, dhe radhëve kilometrike nëpër pikat e karburantit, sot të gjithë e kanë pranuar realitetin e ri, shkruan Alsat.

Nëse ndikimet e jashtme nuk ndryshojnë, çmimet e karburanteve do të vazhdojnë të thyejnë rekorde.

“Çfarë të komentohet, nuk ka ardhur ende”.

“Duhet të vozisim më pak, mos shkohet për kafe, apo në Bitpazar me makinë. Nuk do të zvogëlohet, si shkon politika nuk do ta zvogëlojë këtë krizë ekonomike”.

Çmimet e larta të karburanteve, veçanërisht të naftës, mund të rrisin edhe më tej çmimin e produkteve që qytetarët i blejnë rregullisht. Arsyeja është se kompanitë do të rrisin kostot e transportit.

“Tani kemi frikë se nëse nuk ndryshohet mënyra, në vend që t’i shpallim çmimet në baza javore, kjo të bëhet në nivel ditor, do të kemi mungesë energjensësh, sepse tashmë në Selanik çmimet janë shumë më të larta se sa ishte shpallur nga komisioni rregullator”, tha Angel Dimitrov, Organizata e punëdhënësve.

Transportuesit tashmë janë duke llogaritur se sa do ta rrisin transportin çmimet e reja. Nuk përjashtohet mundësia, që transportuesit të kërkojnë paradhënie nga partnerët e tyre për transportin për të ulur humbjet. Ata kërkuan që Qeveria të përfshihet në masat e paralajmëruara.

“Kërkojmë subvencione, që do tu paguhen transportuesve si masë afatshkurtër, dhe me rimbursimin e një pjese të akcizës për transportin tregtar si masë afatgjate, për të cilën sinqerisht shpresojmë se do të pranohet kërkesa jonë, e cila do të zbusë ndikimet negative të këtij problemi”, deklarojnë nga Shoqata Makam-Trans.

Por, përkundër çmimeve të larta të karburanteve, shumica e qytetarëve sot nuk i kanë lënë makinat e parkuara. Kamera jonë ka regjistruar një numër të madh automjetesh me vetëm një udhëtar, përkatësisht vetëm shoferi. Benzina nga sot u shtrenjtua për pesë denarë, ndërsa dizeli për 10 denarë. Nga Qeveria thanë se për momentin nuk e kanë ndërmend të heqin dorë nga akciza dhe kostot e tjera, që merr shteti nga shitja e karburanteve. Nga një litër benzinë apo naftë e shitur në pika karburanti, për shtetin ndahen 40% e çmimit të derivateve.