Putin, biseda dhe takime me liderët botëror 

Në vetëm pak orë gjatë të dielës, kreu i Kremlinit Vladimir Putin ka pasur biseda dhe takime me disa liderë botërore, për situatën në Ukrainë. E fundit ishte ajo me presidentin Emanuel Makron, bisedë nga e cila akoma nuk ka detaje. Herën e fundit që dyshja folën, në fillim të kësaj jave, pala franceze tha se nuk kishte pasur asgjë inkurajuese në bisedën e tyre. Pak orë më herët në një bisedë me homologun e tij turk Rexheo Taip Erdogan, Putin kishte thënë se Moska do të ndalojë operacionin e saj ushtarak vetëm nëse Ukraina ndalon së luftuari dhe nëse përmbush kërkesat e Moskës, thuhet në një komunikatë të lëshuar nga Kremlini. Rusia thotë se operacioni po shkon sipas planit dhe parashikimeve dhe se shpreson se negocatorët ukrainas do të kenë qasje më konstruktive dhe do ta marrin parasysh realitetin në terren, shkruan Alsat.

Një takim tjetër zuri vend në Moskë mes Putinit dhe kryeministrit izraelit Naftali Benet. Nga qarqet qeveritare në Jeruzalem thuhet, se bisedimet në Moskë kanë zgjatur tri orë. Bennett është koordinuar me SHBA-në, Gjermaninë dhe Francën dhe ende „është në komunikim të vazhdueshëm me Ukrainën”. Benet nuk dha detaje nga biseda me Putinin por tha se shansat për momentin janë të ulta.

“Natyrisht që nuk mund të zgjerohem më tej. Ne do të vazhdojmë të ndihmojmë sipas kërkesës, edhe nëse shanset nuk janë të mëdha. Në momentin që ka një hapje qoftë edhe të vogël, ne kemi qasje te të gjitha palët dhe kemi mundësi, unë e shikojmë si detyrën tonë morale të bëjmë çdo përpjekje, për të gjetur një zgjidhje diplomatike. Për sa kohë që flaka është ndezur duhet të bëjmë çdo përpjekje, duhet dhe ndoshta mund të bëhet më shumë”, tha Naftali Benet, kryeministër i Izraelit

Izraeli merr rolin e një lloj ndërmjetësuesi pasi disa ditë më herë, këtë ja kishte kërkuar edhe presidenti ukrainas Zelenski.

Nga ana tjetër, kryeministri britanez Boris Johnson ka hartuar një plan 6 pikësh për mposhtjen e Vladimir Putinit, një përpjekje kjo që dëshmon se vendi i tij po kërkon të zërë një vend qendror në reagimin global ndaj tmerrit të luftës në Ukrainë. Plani përfshin: krijimin e një koalicioni ndërkombëtar humanitar për Ukrainën, forcimin e mbrojtjes ushtarake të Kievit, shtrëngimin e darës së sanksioneve mbi Moskën, përpjekje të koordinuara diplomatike për zbutjen e krizës, një fushatë të shpejtë forcimi të sigurisë në mbarë zonën euro-atlantike, të luftohet një të njëjtën kohë normalizimi i asaj që Putini po bën në Ukrainë.

Negociatorët ukrainas dhe ata rus do të kthehen në tavolinën e përbashkët të hënën. Lajmi është bërë me dije nga agjencia ruse e lajmeve Interfax. Mësohet se delegacionet do të takohen përsëri në Brest të Bjellorusisë.