Klithmë -Prof.Xhemi Hajredini

Klithmë

Më mbetën fjalët në gojë,
si një melodi e këputur në mes,
se një njeri katran me bojë,
vret e pret robtë në besë.

Vargjet po më dridhen,
në mesin e të mundurve jam,
gjuha e mendimet më kridhen,
një grusht të blinduar s’kam.

Qiell i hirtë, dritë e vagëlluar,
mbi të pafajshmit ranë rrufetë,
nga tmerri me sy të turbulluar,
sërish rrënoja, trupa pa jetë.

Tmerri e ulërima nuk përshkruhen,
klithma frike, malet shungullojnë,
testamente do të nënshkruhen,
të nënshtruarit si të jetojnë!

Paqe e liri duam, o ditëzi,
të marrim frymë të lirë,
a njeh ardhmëri e njerëzi,
a do jetën, dashurinë e dëlirë!

© Xhemi Hajredini
Strugë, 6 mars 2022
(Foto nga interneti, ATSH)