Forcat ruse bombardojnë aeroportin në Vinitsia

Forcat ruse në Ukrainë shkatërruan aeroportin ndërkombëtar të Vinitsias. Në ditën e 11 të sulmeve ruse, situata në Ukrainë nuk jep shenja qetësimi, shkruan Alsat.

Ushtria ruse tani kanë nën kontroll dy centrale bërthamore ukrainase dhe po përparojnë drejt një të treti. Presidenti Volodimir Zelenski i bëri sërish thirrje perëndimit të caktojë zonën e ndalim fluturimit mbi qiellin e saj ose të sigurojë aeroplanë luftarak të prodhimit sovjetik për pilotët e saj ushtarak. Pilotët ukrainas janë stërvitur të manovrojnë avionë të prodhimit rus, që do të thotë se avionë të tillë janë të vetmit që mund të përdoren me urgjencë nga forcat e armatosura ukrainase.

“Aeroporti Vinnytsia është tërësisht i shkatërruar. Ata vazhdojnë ta shkatërrojnë infrastrukturën tonë, jetën tonë dhe ata që kanë ndërtuar gjyshërit dhe gjyshet tona. Ju duhet ta mbyllni hapësirën ajrore. Ju duhet të caktoni zonën e ndalim fluturimit për Rusinë për shkak të gjithë këtyre terroreve. Siguroni një zonë humanitare ndalim fluturimi. Është detyrimi juaj human që të na mbroni neve dhe mund ta bëni atë. Nëse nuk e bëni, nëse nuk na siguroni të paktën aeroplanët me të cilën do të mund ta mbrojmë veten atëherë mund të konstatojmë se ju doni që neve të na vrasin ngadalë”, deklaroi Volodimir Zelenski, president i Ukrainës.

Kërkesën Zelenski ja bëri drejtpërdrejtë në telefon edhe presidentit të SHBA-së Xho Bajden, në një bisedë telefonike. Kjo ishte hera e dytë që liderët komunikojnë në telefon mes tyre brenda kësaj jave. Axhenda përfshin çështje të sigurisë, mbështetje financiare për Ukrainën dhe vazhdimin e sanksioneve kundër Rusisë”, ka shkruar Zelensky në Twitter.

SHBA-ja dhe aleatët janë të gatshëm të përmbushin kërkesën e Ukrainës për sigurimin e avionëve ushtarakë dhe shqyrtojnë mundësinë që këtë ta bëjnë përmes Polonisë.

“Jemi në një bisedë shumë aktive me zyrtarë ukrainas për të marrë një vlerësim të hollësishëm të nevojave të tyre. Dhe ndërsa marrim atë vlerësim, ne po punojmë për të parë se çfarë mund të ofrojmë, ne, aleatët dhe partnerët. Ne po shikojmë në mënyrë aktive tani çështjen e avionëve që Polonia mund t’i japë Ukrainës dhe po shikojmë se si mund të jemi në gjendje të mbushim, nëse Polonia vendos t’i sigurojë ata avionë”, tha Antoni Blinken, Sekretar Amerikan i Shtetit.

Gjatë orëve të vona të së shtunës bombardimet ruse kanë vijuar në disa qytete ukrainase.