Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, është shprehur i bindur se lufta do të përfundojë shpejt, raporton Express.
Në një video të publikuar në Facebook, Zelensky ka thënë se shpejt do të jenë në gjendje t’ju thonë qytetarëve ukrainas që janë larguar nga vendi shkaku i luftës se mund të kthehen në Ukrainë.
“Jam i sigurt që shpejt do të jemi në gjendje t’ju themi njerëzve tonë: kthehuni! Kthehuni nga Polonia, Rumania, Sllovakia dhe gjithë vendet tjera. Kthehuni sepse s’ka më rrezik”, ka thënë Zelensky.
Ndryshe, i ashpër ka qenë reagimi i Zelensky ndaj liderëve të NATO të cilët refuzuan vendosjen e një zone ndalim-fluturimi mbi qiejt e vendit të tij.
“Që nga sot, të gjithë njerëzit që do të vdesin, do të vdesin për fajin tuaj, për shkak të dobësisë tuaj. Samiti i NATO që u mbajt sot ishte një samit i dobët, konfuz. Ishte një samit që tregoi se jo çdokush e konsideron luftën për lirinë në Europë si qëllimin kryesor”, tha Zelensky.
Më tej, presidenti ukrainas shtoi se të gjitha agjencitë inteligjente të vendeve të NATO janë në dijeni të planeve të armikut, pasi të gjitha kanë konfirmuar se Rusia do të vijojë ofensivën.
“NATO ka vendosur qëllimisht të mos mbyllë qiellin e Ukrainës. Vendet e NATO-s krijuan një narrativë se mbyllja e qiejve mbi Ukrainën do të provokonte agresionin e drejtpërdrejtë të Rusisë kundër NATO-s. Kjo është vetëhipnozë e atyre që janë të dobët, të pasigurt brenda”, shtoi Zelensky.
Më vonë, presidenti ukrainas u lidh me disa qytete europiane ku mbaheshin manifestime gjatë luftës ku gjatë fjalimit të tij tha se “Nëse bie Ukraina do të bjerë e gjithë Europa”.