Ombrella e jetës
Ditët vdesin, gjatë nuk rrojnë
Nga veset e kohës ndryshojnë
Po s´i kape të ikin e të shkojnë
E kupton vonë sa të mungojnë…
Vitet e jetës u ngjajnë ditëve
Herë me shi e herë me diell
E herë si misteret e miteve
Dalë nga toka, ngritur në qiell…
Herë të pengohen e herë të rrëzohen
Si këmbët e lodhura në kohë pleqërie
Plagët e marra shpesh do të kujtohen
Jetës po nuk i dhe ombrellë dashurie…
……………………………………………………………………..
Nuk e di
Nuk e di se çfarë të gjeti,
Se ç’farë ishte,
E pa thënë që mbeti,
Që trazoj një shpirt në rrënjë
Si dhëmballën që kap dhimbja
O e vogla, ftonjë!
Po ti rridhje si një krua
Dhe ja që,
Nga një thatëtirë e pa duruar
Humbe në etjen e nentokes
Siç humbin gjurmët në shkretëtirë…
Pak si herët ngatërruar
Si litarët e harruar në shi
Ti që ishe mal e fushë
Me gjerdan varur mbi gushë
Si u bë, moj e uruar?…
Si pa pritur të zunë ethe
Pa qën dimër e acar
Po ti i shkilje vjeshtë e gjethe
Ishe vesë e një mjegulle
Rrush i varur i një pjergulle…
Po ti prit, sa të vi pranvera
Të te shkund gjethet e zverdhura
Flokët e gjata të t´i fry era
Si dikur me egërsi
Të të shoh zemër e sy
Unë të plas, si gështenja në hi…
……………………………………………………………………………………..
Dashuria nuk ka emër
I kujtoj hapat e para për tek ty
Ç´dreqin ishte as unë nuk e di
Afër deri tek porta vija me furi
Më tej këmbët humbisnin fuqi…
Tentova një fishkëllimë të të lëshoj
Gishti i dridhur buzëve ç´i rrëshqiti
Këngën e bylbylit askush s´e dëgjoj
As hëna natën për dreq nuk e ndriti…
Të kthehesha prap këmbët s´më bënin
Të prisja mëngjesin do ishte çmenduri
Zemra edhe shpirti ndryshe më thonin
S´e di, ishte ndjenjë apo ishte dashuri?…