Bie numri i rasteve aktive në Maqedoni, vazhdon skriningu i qytetarëve

Numri i rasteve aktive po bie dalëngadalë, ndërsa në vend vazhdon tendenca e më shumë të shëruarve sesa të infektuarve me Covid-19.

Dje janë regjistruar 631 raste të reja me Covid-19, nga 2.818 analiza të kryera. U regjistruan 6 pacientë të vdekur dhe 910 të shëruar.

Autoritetet presin që në periudhën e ardhshme gjendja epidemiologjike në vend të stabilizohet dhe të jemi tashmë në një kurbë rënëse të situatës epidemiologjike.

Në ndërkohë, në Shkup dhe qytete të tjera po bëhet skrining për imunitetin e qytetarëve, ndërsa po vazhdon skriningu edhe në shkolla.

Deri më tani në vend janë kryer gjithsej 1.880.891 testime të COVID-19. Numri i përgjithshëm i personave të diagnostikuar me COVID-19 në vendin tonë që nga fillimi i epidemisë është 295.712, numri i të shëruarve 281.582, numri i të vdekurve ka arritur në 8.968, ndërsa numri i rasteve aktive është 5.162.