Në seancën e sotme, Qeveria shqyrtoi dhe miratoi Informatat për gjendjen e sigurisë në Ukrainë dhe rreth saj dhe e udhëzoi Ministrinë e Punëve të Jashtme në koordinim me institucionet kompetente që të ndërmarrin të gjitha masat e nevojshme për të garantuar sigurinë e pjesëtarëve të Republikës së Maqedonisë së Veriut gjatë Misionit të Posaçëm Monitorues të OSBE-së në Ukrainë.
Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, në konferencën e rregullt për media, dje informoi se 30 vëzhgues tanë janë të angazhuar në Misionin Special Monitorues të OSBE-së, i cili ka një pozicion të veçantë sepse Maqedonia e Veriut, së bashku me Suedinë dhe Poloninë janë pjesë e treshes së kryetarëve të Organizatës.
Osmani ka biseduar sot në telefon me Sekretaren e Përgjithshme të OSBE-së, Helga Maria Schmid, për situatën aktuale në dhe rreth Ukrainës dhe rëndësinë e respektimit të së drejtës ndërkombëtare dhe paprekshmërisë së kufijve.
Në një postim në Facebook, ministri i Jashtëm Osmani tha se Maqedonia e Veriut, si pjesë e kryesuesit të OSBE-së, është “e gatshme të kontribuojë në deeskalimin e situatës dhe në përpjekjet diplomatike për gjetjen e një zgjidhjeje paqësore”.