Gjermania i jep goditjen e parë reale Rusisë, pezullon Nord Stream 2

“Certifikimi i projektit gazsjellës Nord Stream 2 nuk mund të vijojë pas veprimeve të fundit të Rusisë”.

Kancelari gjerman, Olaf Scholz, i ka dhënë goditjen e parë reale Rusisë dhe Vladimir Putinit, duke anuluar vijimin e projektit Baltik të Nord Stream 2, i cili pritej të kalonte tubacionet e gazit drejtpërdrejt nga Rusia për në Gjermani.

Vetë punimet e tubacioneve, janë përmbyllur në shtator 2021. Mirëpo, ato ende nuk janë vënë në operim.

Tashmë, pas edhe një thirrjeje të presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, projekti është ndalur dhe duket se nuk do të ketë lehtësim të masës pa një tërheqje të Putinit.

Më herët gjatë ditës sotme, Zelensky, e bëri të qartë kërkesën e tij ndaj botës perëndimore dhe fuqive të mëdha evropiane, mbi të gjitha Gjermanisë: Ndërprisni punimet e projektit gazsjellës “Nord Stream 2”.

Tubacionet e këtij projekti, gjejnë një rrugë nëpërmjet detit Baltik, për të krijuar një korridor direkt nga Rusia drejt Gjermanisë, duke shmangur rrugën nëpërmjet Ukrainës.

“Rusia duhet të ndëshkohet për njohjen e dy rajoneve separatiste në Ukrainë”, ravijëzoi Zelensky gjatë një konference. “Duhen sanksione të menjëhershme, përfshi një ndalim tërësor i ‘Nord Stream 2’”.

Nga ana tjetër, ironikisht, ka qenë presidenti rus, Vladimir Putin, ai i cili replikoi në distancë lidhur me kërkesën e Zelenskyt.

Në një konferencë me eksportuesit e gazit, presidenti rus theksoi rëndësinë e projektit.

“Jemi të bindur se është në interes të komunitetit botëror, të sigurojë se tranzicioni energjetik, nuk do të kthehet në një mjet të avancimit të interesave individuale të aktorëve të caktuar. Ndaj, sanksionet dhe shtrëngimet e tjera, nuk duhet të ndodhin”.

Kështu mendon Putini mbi çështjen, një ditë pasi dërgoi forca të ashtuquajtura paqeruajtëse, në rajonet separatiste të Donetsk-ut dhe Luhansk-ut.