Partitë opozitare në seancën plenare përsëritën mbështetjen e tyre për propozim-ligjin për pagën minimale, por shprehën keqardhje që partia në pushtet nuk pranoi asnjë nga amendamentet e propozuara, pasi ato do të përmirësonin tekstin e ligjit, shkruan Alsat.
“Me amendamentet synuam ta përmirësojmë cilësinë e ligjit, fillimisht me pagën minimale të rrisim pagat e tjera në arsim, administratë dhe kërkuam që sektori i biznesit të mos ngarkohet me detyrime si pasojë e rritjes së pagave, ku kërkojmë të rritet masa e kontributeve dhe taksave”, tha Ilire Dauti – Deputete e Aleancës së Shqiptarëve.
“Më duhet të shpreh keqardhjen pse mazhoranca dhe qeveria nuk u inkurajuan këtë herë dhe ta zgjidhin përfundimisht problemin me rritjen graduale të pagave. Nëpunësi i sportelit në Kadastër me vite përvojë do të marrë pagë të njëjtë me nëpunësin kadastral që përgatit vendime dhe për çka mban përgjegjësi penale”, u shpreh Bojan Stojanoski – deputet i VMRO-DPMNE-së.
Sipas ndryshimeve të parapara ligjore, nga muaji i ardhshëm paga minimale e përcaktuar me ligj në vend do të jetë 18 mijë denarë. Kjo zgjidhje doli nga dialogu mes sindikatave, punëdhënësve dhe përfaqësuesve qeveritar.