Universiteti i Tetovës feston 27 vjetorin e themelimit, në ceremoninë solemne mori pjesë ministri Shaqiri

Falë këmbënguljes për themelimin e kësaj vatre arsimore, ligjëratat e nisura më 17 shkurt 1995 në Poroj dhe në Reçicë të Vogël, ishin fillimi i themelimit të universitetit të parë shqiptar në vend, i cili edukoi dhe do të edukojë shumë breza të rinjstudentësh Si ish student i Universitetit të Tetovës dhe sot si ministër i Arsimit dhe Shkencës ndihem jashtëzakonisht krenar dhe i lumtur që ekziston ky institucion arsimor.

Kështu deklaroi ministri i Arsimit dhe Shkencës Jeton Shaqiri në ceremoninë e sotme të organizuar me rastin e 27 vjetorit të themelimit të Universitetit të Tetovës, ku morën pjesë përfaqësues të disa institucioneve të tjera të sistemit, përfaqësues të akademisë dhe shkencës të vendit, mes të cilëve profesorë të shquar dhe kuadro shkencorë të këtij universiteti dhe studentë të gjeneratave të ndryshme

Kjo datë do të jetë gjithmonë e rëndësishme, historikisht për arsimin shqip në Maqedoninë e Veriut. Jam i nderuar që jam sot këtu dëshirojë që çdo studenti, çdo pedagogu, profesori dhe punonjësi në Universitetin e Tetovës që në këto 27 vite ka kontribuar në realizimin e idealeve të atyre që e filluan idenë dhe u sakrifikuan për ta realizuar ëndrrën e madhe dhe unike për universitetin e parë shqiptar në vend që mundësoi zhvillimin e gjuhës, kulturës dhe arsimit tonë”, tha ministri Shaqiri.

Duke kujtuar sakrificën e bërë nga Abdilsalam Emin, Fadil Sulejmani – rektori i parë i Universitetit të Tetovës dhe shumë profesorë të tjerë, por edhe dhjetëra familjeve që 27 vjet më parë pa kushte ofruan lehtësitë dhe mbështetjen e tyre në çdo aspekt, ministri thеksoi se falë të gjithëve, sot mund të shfrytëzojmë përfitimin më të madh që ofron ky universitet – diturinë .

“Sot arsimi shqip në vend ka dimension tjetër, ka arritur nivel më të lartë. “Ndoshta për studentët aktualë rrethanat në të cilat është themeluar ky universitet mund të jenë të paimagjinueshme, por duhet ta dinë se kanë kaluar rrugë me gjemba dhe shumë vite për të arritur këtë qëllim ata duhet të vazhdojnë betejën për një të nesërme më të mirë”, theksoi Shaqiri.

Shaqiri theksoi se data e sotme është kujtesë e së kaluarës dhe se na bën të mendojmë për të ardhmen, për të cilën padyshim duhet të punojmë.

“Investimi më i mirë që mund të bëjmë sot është investimi në arsim cilësor. Në fund të fundit, përparimi i vendit do të varet nga ajo se si do të edukojmë rininë në këtë vend. “Duhet t’i intensifikojmë përpjekjet për krijimin e kushteve dhe mundësive më të mira për çdo nxënës, që të mund më lehtë të përballet në tregun e punës dhe të jap kontribut në zhvillimin e shoqërisë”, potencoi ministri.