Sot bëhen tre vjet nga aksidenti tragjik në Llaskarcë të Shkupit ku humbën jetën 15 pasagjerë që udhëtonin me autobusin e kompanisë “Durmo Turs”, i cili gjatë kthimit në Gostivar, u rrokullis.
Shkaqet ende nuk janë mësuar, ndërkaq rasti ende është në procedurë gjyqësore.
Fakulteti Teknik në Manastir ka refuzuar kërkesën e Gjykatës Themelore në Shkup për kryerjen e super ekspertizës në lidhje me këtë aksident, pasi siç thonë, janë të licencuar vetëm për energjetikë dhe nuk mund të kryejnë ekspertizë në automjetet motorike, transmeton TV21.
Sipas Gjykatës Themelore Penale super ekspertiza është e domosdoshme për mbyllje të procedurës dëshmuese të lëndës dhe dhënien e aktgjykimit të shkallës së parë.
Komuna e Gostivarit edhe këtë vit ka paraparë aktivitete për të kujtuar viktimat nga kjo tragjedi.
Në ora 13:30 do të vendosim lule në vendin e tragjedisë në fshatin Llaskërcë,
Në ora 17:30 do të ketë tubim te parku në qendër të Gostivarit, për t’i kujtuar viktimat e kësaj tragjedie dhe për të bashkëndarë dhimbjen me të gjithë ata që humbën të afërmit e tyre.
Ndryshe, 13 shkurti i vitit 2019 ishte ditë fatale për 51 pasagjerët në autobusin e “Durmo Turs” i cili qarkullonte në relacion Shkup-Gostivar. Rreth orës 17, për arsye ende të padefinuara, autobusi u përmbys në autostradën Tetovë-Shkup afër fshatit Llaskarcë. Autobusi humbi kontrollin dhe ra në humnerë, pasi theu gardhin mbrojtës në autostradë. 16 pasagjerë humbën jetën, kurse 35 prej tyre morën lëndime të rënda.