Mësimi në shkollat e Maqedonisë vazhdon me prani fizike dhe mbajtje të maskave

Edhe pse lloji Omicron i COVID-19 përçohet më lehtë, numri i mësimdhënësve dhe nxënësve të infektuar është i vogël. Sipas autoriteteve, për këtë arsye duhet të vazhdojë mësimi me prezencë fizike dhe me respektim të protokolleve.

Në deklaratë për “Faktor”, drejtorja e Inspektoratit Shtetëror Shëndetësor dhe Sanitar, Irina Buhova tha se po respektohen rekomandimet e OBSH-së dhe UNICEF në lidhje me funksionimin e shkollave.

“Mësimi me prezencë fizike duhet të mbahet sipas protokolleve të shkruara, për shkak se sipas OBSH dhe UNICEF, shkollat dhe çerdhet janë institucionet që në fund duhet të mbyllen dhe të parat të hapen”, tha Buhova e cila shtoi se po respektohen protokollet për mbrojtje në shkolla dhe se me kujdes ndiqet gjendja.

Në lidhje me kërkesën e disa prindërve të cilët insistojnë që fëmijët të mos mbajnë maska, ajo tha se mbajtja e maskave momentalisht është ndër masat kryesore kundër virusit dhe se fëmijët duhet të vazhdojnë me mbajtjen e maskave.