Për shkak të çmimeve të larta të energjisë, jo pak gjermanë e qytetarë të tjerë në Europë kujdesen këto javë që të mos e lenë gjatë të ndezur ngrohjen. Në verë priten fatura shokuese, për shkak të pagesave shtesë për energjinë.
Qeveria gjermane do të ndihmojë të paktën familjet me të ardhura të ulta. Të mërkurën (02.02) kabineti qeveritar gjerman u konsultua për dhënien e një shume ndihme për kostot e energjisë, pastaj për këtë vendos Bundestagu.
Por jo vetëm qytetarët gjermanë ankohen për ngritjen e çmimeve të energjisë. 50% e kompanive gjermane të nivelit të mesëm, sipas një sondazhi të fundit, mezi arrijnë t’i përballojnë çmimet shpërthyese të energjisë, të cilat që nga vjeshta e vitit të kaluar njohin vetëm rritje. Shoqata e Ekonomisë së Kompanive të Mesme paralajmëron, që të merren shpejt vendime nga politika, si ulja e taksës energjitike, ndryshe ekonomia gjermane humb aftësinë konkurruese.
Kompania gjermane “C.D. Walzholz GmbH & Co. KG” me shtrirje ndërkombëtare dhe e profilizuar për prodhime çeliku ndeshet me probleme të mëdha aktualisht. Prodhimi psh i çelikut special për fletë sharre dhe pajisje të tjera që duhen ngrohur ngadalë deri në 700 gradë celcius thishin shumë energji.