Qytetarët me shpresë për miratimin e pagës minimale 

Qytetarët vazhdojnë të mbeten me shpresë se java që vjen do të sjellë miratimin e marrëveshjes për rritjen e pagës minimale në 18 mijë denarë. Siç thanë ata, rritja e vazhdueshme e çmimeve të produkteve po e vështirëson edhe më shumë jetën e tyre, shkruan Alsat.

“Nuk po bëjnë asgjë. Gjithçka është e kotë”, qytetar

“A e dini se për katër vetë sa para duhet të harxhohen, nuk na mbërrijnë por nuk kemi çka të bëjmë. Qysh me I mbulu kur 10 mijë denarë e ke rrymën. Shembull, me 20 mijë denarë si me jetu, duhet me hangër, me pi, nuk është puna vetëm me jetu, jeta e vështirë”, shprehet një qytetar.

“E shikojmë çdo denarë, kur shkon me ble diçka duhet të mendosh sa do të shpenzosh e sa do të mbesin. Ka shumë njerëz me paga e pensione minimale 6 ose 7 mijë denarë, çfarë është ajo. Ndoshta 10 mijë denarë të kapin vetëm faturat”, qytetare.

“46 vjet kam punu në shkollë për ti mar 15-16 denarë. 10 mijë denarë vetëm se për rrymë I jap, 1500 denarë për ujë, ato tjerat ku të dal le të dal”, qytetar.

Disa prej qytetarëve madje thonë edhe paga minimale prej 18 mijë denarë nuk është e mjaftueshme për mbulimin e gjitha shpenzimeve të një familje katër anëtarëshe.

“Duhet se inflacioni është shumë I madhë, sidomos ata që janë me nji rrogë. Edhe 18 mijë janë pak me këtë inflacion por sërish janë të mirëseardhura për ato që janë me rroga të dobëta”, qytetare.

 “30 mijë duhet të bëhet, me 18 mijë nuk dilet në qosh. Si mundemi gjindemi, të jetojnë kurbetçarët”qytetare.

“18 mijë denarë duhet, me 16 mijë denarë çka bën njeriu, harxhimet që I kemi, rryma, telefonat, pazarin. Me 500 denarë qesja të mbetet e zbrazët, 1000 denarë të kushton dita, 30 ditë 30 mijë denarë”, qytetare.

Edhe mbrëmë nuk u arrit asnjë marrëveshje për rritjen e pagës minimale pas takimit të dytë mes sindikatave, punëdhënësve dhe qeveritarëve. Sindikatat akuzuan punëdhënësit se kanë bërë propozime joserioze dhe në vend që të shohin më tw mirën për punëtorët, kanë parë vetëm interesat e tyre. Për punëdhënësit nëse rritja e minimumit arrin 18 mijë denarë, atëherë Qeveria duhet t’i ndihmojë me subvencione për kontributet e punëtorëve. Për punëdhënësit është e pranueshme që paga minimale të jetë 16.300 denarë. Të hënën ekipi ekonomik i Qeverisë do të shqyrtojë të gjitha propozimet për të vendosur se cila nga zgjidhjet është më e pranueshme.