Zvicra pritet t’i heqë masat anti-covid

Bëhet fjalë për zbutjen e detyrimin e certifikatës COVID, lehtësimin e detyrimit për të mbajtur maska ​​dhe të kufizimeve në takime dhe evente etj.

Paraqitja e ministrit të Shëndetësisë Alain Berset para mediave në Arau kishte shenja optimiste. Ai madje premtoi se disa masa si Puna nga shtëpia (Home Office) dhe karantina do të hiqen së shpejti. Për më tepër ai tha se as detyrimi për certifikatën COVID nuk do të ekzistojë përgjithmonë.

Nisur nga kjo dhe tregues të tjerë, vëzhguesit presin që qeveria e vendit të heqë dy masat e përmendura që në mbledhjen e saj të ardhshme të mërkurën, më 2 shkurt.

Në konsultimin e fundit, një numër kantonesh u shprehën në favor të heqjes ose përshtatjes së këtyre masave. Pas kësaj, për shkak të pushimeve të skive, mbledhja e parë e rregullt e Këshillit Federal do të mbahet më 16 shkurt.

Andreas Widmer nga Spitali Universitar i Bazelit dhe kryetar i Qendrës Kombëtare për Parandalimin e Infeksioneve (Swissnoso) tërheq vërejtjen kundër heqjes “shumë të hershme” të detyrimit për maskë.

“Nëse i heqim maskat dhe varianti omicron shpie në norma më të larta të shtrimit në spitale, ne do të kemi një problem të madh”, thotë Widmer.

“Prandaj, heqja e detyrimit për maskë duhet të kryhet në faza” përcjell albinfo.ch.

“Së pari, për shembull, në qendrat e fitnesit, në punë dhe vetëm pastaj, më vonë edhe në dyqane dhe transport publik”.

Kjo gatishmëri e treguar për heqjen e masave shpjegohet me faktin se Qeveria Federale pret që kulmi i valës aktuale të koronës (Omicron) të kalohet së shpejti. Kjo, nisur nga përvoja që ka treguar se katër valët e fundit të koronës secila zgjatën rreth gjashtë javë. Edhe nëse vala e Omicronit zvarritet pak më gjatë: më e keqja duket se do të përfundojë nga mesi i shkurtit.