Periudha e izolimit nga varianti Omicron shkurtohet për tre ditë. Vendimi u mor dje në seancë qeveritare që personat e sëmurë me virusin korona nga 10 ditë izolim të mbahen vetëm 7 ditë nga që virulenca e variantit Omicron tani më nuk përbën rrezik për jetë. Ky konstatim erdhi nga Komisioni për Sëmundje Infektive, të cilët i rekomanduan Shtabit të Krizave, dhe kjo e fundit mori dritën jeshile të ekzekutivit.
“Izolimi shtëpiak i të sëmurëve pa simptome do të zgjatë 7 ditë nga momenti i testit të parë pozitiv me virusin korona, ndërkaq i atyre me simptome të theksuara përveç 7 ditëve do të kenë edhe 3 ditë shtesë mbikëqyrje intensive të kujdesit për të mbajtur maska N95 në ambiente të mbyllura dhe për të mbajtur distancën me personat tjerë kur janë në ambiente të hapura. Gjithashtu izolimi i kontakteve me personat e infektuar do të zgjat 7 ditë, megjithatë kjo nuk vlen për personat e vaksinuar me së paku dy doza dhe për ata që kanë qenë të infektuar në 6 muajt e fundit”, thonë nga Ministria e Shëndetësisë
Nga Inspektorati Shtetëror Sanitar Shëndetësor thonë se këto lehtësime nuk do të thonë se po i vjen fundi pandemisë, por që punëtorët e infektuar mund të kthehen pas 1 javë në vendet e tyre të punës.
“Jo, kjo nuk është proporcionale me fundin e pandemisë, kjo nënkupton që rastet pozitive të atyre që janë të prekur me llojin omicron zgjasin më pak që do të thotë se ata më herët mund të kthehen në procesin e punës. Kjo është bërë sepse infektimi me Sars-Cov-2 është materie e gjallë andaj ndryshojnë edhe protokollet sikurse kudo në botë edhe tek ne, duke ndjekur rekomandimet e OBSH-së ndryshimet janë për lehtësimin e izolimit të rasteve pozitive dhe kontakteve të tyre”, deklaroi Irina Buhova, Inspektorati Shtetëror Sanitar Shëndetësor
Për dallim nga Maqedonia e Veriut, në shumicën e shteteve të rajonit izolimi i kontakteve është ulur në 5 ditë. Në fillim të pandemisë, izolimi në disa shtete zgjaste madje deri në 28 ditë, ndërkaq tani thuajse të gjitha shtetet e botës këtë prag e kanë ulur në 5 dhe 7 ditë. Megjithatë ende nuk është dëshmuar shkencërisht se sa ditë një person pozitiv me variantin omicron mund të jetë bartës i virusit, thotë OBSH.
“Studimet tregojnë se një e treta e personave me Kovid19, ditën e pestë pas paraqitjes së simptomave apo testit pozitiv ende rezultojnë të infektuar. Në disa raste, edhe pas marrjes së testit negativ pacienti mund të jetë shpërndarës i virusit disa ditë. Sipas studimeve të fundit vlerësohet se personat të cilët kanë Kovid19 e shpërndajnë virusin nga dy deri në dhjetë ditë nga paraqitja e simptomave”, njoftojnë nga Organizata Botërore e Shëndetësisë
Megjithëse variant i fundit Omikron është shumë herë më shpërndarës se mutacionet e tjera, ai nuk shkakton pasqyrë të rëndë klinike dhe bazuar në këtë Infektologët parashikojnë se Omikron jep sinjale pozitive për fundin e pandemisë. Një ditë më parë Organizata Botërore e Shëndetësisë tha se faza akute e pandemisë mund të përfundojë këtë vit. Epidemiologët po ashtu parashikojnë që pandemia të kalojë në endemi, dhe Covid19 të bëhet sikur gripi stinor, ndërsa vaksina kundër virusit korona të bëhet vaksinë e cila do të duhet të merret çdo vit për mbrojtje kundër infektimit.