Maqedonia e Veriut ka shënuar rritje pozitive në luftën kundër korrupsionit. Në listën e Indeksit për perceptimin e korrupsionit, tani ndodhet në pozitën e 87, ose 24 vende më lartë për dallim prej vitit të kaluar kur ishte në vendin e 111-të, shkruan Alsat.
Megjithatë gjatë prezantimit të raportit, drejtoresha e Transparency International në vend, Sllagjana Taseva, tha se vendi ende nuk është në nivelin e dëshiruar. Taseva thotë pasqyra është përmirësuar për shkak të rezultatit pozitiv që kanë dhënë procedurat gjyqësore për raste të profileve të larta të korrupsionit si dhe puna e komisionit për anti Korrupsionit.
“Mënyra se si janë zbatuar zgjedhjet e fundit, proceset e reformave, Por po ashtu shënohen aktivitete të Qeverisë, e cila bëri plan aksionar për luftë kundër korrupsionit. Të gjitha këto aktivitete, edhe pse ka shumë çka të flitet për hapat e pa bërë, si për reformën në gjyqësor e cila ka stagnuar, përsëri këto aktivitete në dy vitet e fundit tashmë e dëshmojnë ndikimin e tyre dhe andaj kemi përmirësim në Indeksin për perceptimin e korrupsionit”, deklaroi Sllagjana Taseva, Transparency International.
Vendin e 87-të Maqedonia e Veriut e ndanë me Kosovën, Kolumbinë, Etiopinë, Guinenë, Marokun, Surinamin, Tanzaninë dhe Vietnamin. Nga vendet e rajonit më mirë është radhitur Sllovenia e cila ka 57 pikë dhe mban vendin e 41-të, por që ka shënuar rënie prej gjashtë vendeve për dallim prej vitit 2020. Më pas Greqia në vendin e 58 me 49 pikë. Kroacia mban pozitën e njëjtë në vendin e 63-të. Pason Mali i Zi në vendin e 64, Bullgaria vendin e 78, Serbia vendin e 96, Shqipëria dhe Bosnjë-Hercegovinë në vendin e 110. Listën e Indeksit për perceptimin e korrupsionit me nga 88 pikë e kryesojnë Danimarka, Finlanda dhe Zelanda e re, ndërsa në vendin e fundit është Sudani Jugor me 11 pikë të fituara. Nga 180 shtetet në Listën e Indeksit për perceptimin e korrupsionit 131 vende nuk kanë bërë asnjë përparim në luftën kundër korrupsionit në të gjithë dekadën e fundit, ndërsa dy të tretat e vendeve kanë më pak se 50 pikë. Kjo do të thotë se kanë probleme serioze me korrupsionin. Madje 27 vende janë në nivelin e tyre më të ulët historik.