Autoritetet e Sofjes dhe Shkupit vendosën të përmirësojnë marrëdhëniet e dëmtuara të biznesit me Bullgarinë duke lehtësuar kushtet për bashkëpunim, shkruan Alsat.
Në takimin ndërmjet delegacioneve të Maqedonisë dhe Bullgarisë, është rënë dakord që të themelohet Sekretariati për tregti, me qëllim të përmirësimit të nivelit të tregtisë.
Krahas tregtisë, ministrat në fushën e ekonomisë ranë dakord që të thellohet bashkëpunimi në fushën e turizmit, energjetikës dhe të eliminohen disa nga procedurat e deritanishme burokratike të nevojshme për punë.
“Në kuadër të grupeve të punës do t’i përfshijmë edhe Odat ekonomike të dy vendeve. Jam i bindur se pas organizimit të eventeve të ndryshme, biznesmenët sigurisht që do të gjejnë interes për thellimin e bashkëpunimit me biznesmenët bullgarë”, tha për Alsat Kreshnik Bekteshi Ministër i Ekonomisë.
Ministri i Ekonomisë Kreshnik Bekteshi ka konfirmuar për Alsat se në fillim të muajit të ardhshëm janë marrë vesh që në të njëjtën përbërje negociatat të vazhdojnë, por këtë herë në Shkup. Nga Oda Ekonomike maqedonase-bullgare theksuan se vetoja bullgare në rrugën evropiane të Maqedonisë shkaktoi mosbesim në marrëdhëniet afariste mes dy vendeve. Sipas tyre, shkëmbimi tregtar nuk ka rënë ndjeshëm, por sinjalet politike nuk kanë qenë të mira.
“Si biznes, vetoja nuk ka ndikuar shumë, por ka ndikuar ndaj besimit mes biznesmenëve. Tani gjërat shikohen pak më me kujdes dhe vendosin të investojnë pak më me kujdes tek ne. Dhe ne si ekonomi më e vogël dhe fleksibile, kemi rritje të vazhdueshme të këmbimit tregtar me ta”, u shpreh Kirill Llazarov- kryetar i Odës ekonomike maqedono-bullgare.
Vitin e kaluar, këmbimi mes dy vendeve arriti në rreth 700 milionë euro. Vlera e mallrave të importuara dhe të eksportuara nga vendi në Bullgari është thuajse identike.