Në Maqedoninë e Veriut është rritur numri i fëmijëve të prekur nga COVID-19, sidomos me variantin Omicron.
Në Spitalin për sëmundje të mushkërive të fëmijëve në Kozle të Shkupit, për momentin janë shtruar 25 fëmijë. Gjendja e tyre paraqitet e qëndrueshme.
“Pas festave të vitit të ri numri i fëmijëve të shtruar në Institutin tonë është në rritje. Ka kohë që jemi COVID për fëmijë dhe gjithë fëmijët e të gjithë rretheve vinë te spitali jonë. Numri momental është diku 25 fëmijë dhe të gjithë janë në gjendje të mirë shëndetësore, me komplikime më të vogla. Për momentin nuk kemi asnjë fëmijë që kërkon me gjendje që kërkon oksigjen”, bën të ditur Besnik Zeqiri, drejtor i spitalit “Kozle”.
Gjatë javës së fundit përqindja e fëmijëve të infektuar në moshë prej 0 deri 9 vjeç ka qenë 1.8 për qind.
Ndërsa nga fillimi i pandemisë janë infektuar 5,453 fëmijë në moshë 0 deri 9 vjeç ndërsa prej 9 deri 19 vjeç janë infektuar 16,225 fëmijë.
“Ne si spital dhe kolegjium i mjekëve pediatër kërkuam edhe nga institucionet shëndetësore dhe të arsimit që të shtyhet për këto dy javë mësimi që fëmijët mos te jenë atje ku shpërndahet virusi…Në Institutin tonë janë 30 për qind fëmijë nga 0 deri 3 vjeç, dhe 70 për qind të tjerët janë nga 9 deri 18 vjeç. Edhe në ambullantat që vinë për kontrolle 60 përqindëshi janë në moshë prej 9 deri 18 vjeç”, shprehet Zeqiri.
Mjekia pediatre Suza Koçoska apelon te prindërit që në rast infektimi, të mos hezitojnë të kërkojnë ndihmë mjekësore të ata.
“Rekomandimi është të mbrohen por është e kuptueshme që ata lëvizin, shoqërohen, dalin, nuk e dimë se kë po takojmë. Por të shmangen qendrat tregtare, këndet e lojërave për fëmijë, festat e ditëlindjeve. Por kushdo që ka nevojë, që ka temperaturë për shembull për tre ditë menjëherë të paraqitet në spitalin tonë. Ne punojmë 24 orë dhe të jenë të bindur se fëmijët do të trajtohen më së miri që është e mundur”, thotë ajo.