Nesër mbahet mbledhja e qeverive Shkup-Sofje

Delegacioni qeveritar i Maqedonisë u prit në Sofje me nderimet më të larta shtetërore dhe ushtarake. Dy kryeministrat, Dimitar Kovaçevski dhe Kiril Petkov, vetëm pas gjashtë ditëve, sërish shtrënguan duart.

Ata nesër do të kenë një takim kokë më kokë, pas çka pritet të ketë detaje për të ashtuquajturin Kapitull i ri në marrëdhëniet mes dy vendeve, të paralajmëruar përmes punës intensive të grupeve të punës të sapoformuara për ekonomi, infrastrukturë, kulturë dhe integrim evropian.

Nesër pritet ministrat e Transportit të nënshkruajnë edhe një marrëveshje për lidhjen hekurudhore Shkup-Sofje. Në delegacionin 14 anëtarësh të ministrave, mungon vetëm zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane, Bojan Mariçiç, i cili tha se është pozitiv me Covid 19.

Jozyrtarisht do të takohen edhe bashkëkryetarët e Komisionit të Përbashkët të Historisë, Dragi Gjorgjiev dhe Angel Dimitrov. Pikërisht për këtë komision shpesh përcillen deklarata se duhet ketë ndryshime në metodologji dhe përbërje dhe pritet që në vend të pesë herë në vit, ky komision të mblidhet çdo pesë javë.

Krerët e të dyja shteteve ritheksojnë se duhet fokusuar tek ekonomia, ndërsa historia të jetë në plan të dytë. Ministrat e jashtëm, Bujar Osmani dhe Teodora Gençovska, theksuan se intensifikimi i dialogut do të çojë në një zgjidhje të pranueshme reciproke që do e zhbllokojë integrimin evropian të Maqedonisë.

“Gjatë takimit u shqyrtua gjendja aktuale e dialogut politik dhe marrëdhënieve dypalëshe, përfshirë edhe zbatimin e Marrëveshjes së Miqësisë, Fqinjësisë së Mirë dhe Bashkëpunimit të vitit 2017. U diskutua edhe për përgjigjen e dorëzuar në dhjetor 2021 nga Maqedonia e Veriut ndaj propozimeve të Bullgarisë për pakon e çështjeve politike të ashtuquajtura “5 + 1”, thonë nga MPJ.

Gjatë vizitës, Kovaçevski dhe Petkov vendosën lule në monumentin e Luftëtarit të Panjohur, si dhe para monumentit të vëllezërve Kiril dhe Metodi. Të dy kryeministrat vizituan edhe  Qendrën Kulturo-Informative Maqedonase, si dhe Universitetin e Sofjes.