Nën ndikimin e valës së lagësht dhe të ftohtit, në orët e mbrëmjes në pjesën perëndimore të vendit do të ketë reshje të borës. Reshjet do të vazhdojnë edhe ditën e premte, ku do të përhapen edhe në pjesët tjera të vendit, njoftojnë nga Drejtoria për Punë Hidrometeorologjike.
Reshje më të dendura do të ketë në zonat perëndimore dhe kudo do të formohet mbulesë bore, ndërsa në male do të rritet. Mbulesa më e vogël e borës do të formohet në pjesët tjera, përveç në rrjedhën e poshtme të Vardarit.
Nga DPHM bëjnë me dije se për shkak të temperaturave të ulëta do të ketë ngrica. Do të fryjë erë e fortë veriore.
Më pas në ditët në vijim do të mbajë mot i ndryshueshëm me vranësira, i ftohtë dhe me erë të herëpashershme me borë lokale. Temperaturat ditore në shumë vende do të jenë nën zero.