Nga paraqitja e pandemisë deri më 16 janar të këtij viti, gjithsej janë regjistruar 3.380 riinfektime me COVID-19, që është 1.4% nga numri i përgjithshëm i të infektuarve. Sipas të dhënave nga Instituti për Shëndet Publik (ISHP), 7 persona janë infektuar për herë të tretë.
Vetëm dje, nga gjithsej 2.269 raste pozitive, janë regjistruar 310 riinfektime. Sipas raportit javor të ISHP-së, gjatë javës së kaluar janë paraqitur 1.247 riinfektime, me rritje prej 31.8%, në krahasim me javën e kaluar.
Nga Ministria e Shëndetësisë, përpara tre javëve kumtuan se periudha më e shkurtër në të cilën është regjistruar riinfektimi me COVID-19 është 3 muaj pas shërimit nga virusi. Në përqindje, riinfektimet me kovid në vend regjistrohen pas katër-pesë muaj nga shërimi prej virusit. Nga riinfektimi kanë vdekur 10 persona.
Në vend ka rritje të numrit të infektuarve pas paraqitjes së variantit Omicron. Ministria e Shëndetësisë njofton se në 24 orët e fundit u regjistruan 2.269 raste të reja me Covid-19 nga 7.038 testime të kryera. Ndërkohë u regjistruan 1.420 pacientë të shëruar dhe 24 viktima, prej të cilëve 11 nga sistemi “Termini Im”.
Deri më tani në vend janë kryer gjithsej 1.717.482 teste për Covid-19. Numri i përgjithshëm i personave të diagnostikuar me Covid-19 në vendin tonë që nga fillimi i pandemisë është 247.663, numri i të shëruarve është 222.306, numri i të vdekurve është 8.139, ndërsa numri i rasteve aktive është 17.218.