Protesta në selinë e PD-së, 34 të arrestuar

Policia e Tiranës ka arrestuar 34 persona dhe ka proceduar penalisht 18 të tjerë, pas protestës së dhunshme të zhvilluar një ditë më parë në selinë e PD-së. Ata akuzohen për grumbullime të paligjshme, prishje të qetësisë publike, shkatërrim të pronës, pengim të qarkullimit dhe mbajtje e armëve të ftohta. Mes të proceduarve janë edhe sekretari i përgjithshëm i PD-së Gazment Bardhi dhe deputeti Flamur Noka. Ndërkaq Kryeministri Edi Rama zhvilloi bashkëbisedim me demokratët në Facebook për të folur rreth situatave të ndodhur një ditë më parë në selinë e PD. Duke komentuar me ironi, Kryeministri Rama tha se është i gatshëm t’i ndihmojë të dyja palët duke i dhënë dy godina. “Nëse duan 2 seli përkohësisht t’i ndihmojmë”. Rama shtoi se zhvillimet e djeshme ishin shqetësuese duke thënë se është e paimagjinueshme dhe nuk ka bërë vaki në asnjë vend që mbështetësit të sulmojnë godinën e partisë së tyre. Ndaj tha se është i turpëruar si shqiptar kur e marrin miq të pyesin nëse lajmi i protestës është i rremë apo jo.