Asnjë pacient me tre doza të vaksinave kundër Kovid19 deri më tash nuk është shtrirë në Klinikën për sëmundje Infektive në Shkup. Drejtoresha e kësaj Klinike, Milena Stevanoviq theksoi rëndësinë e dozës së tretë të vaksinës, veçanërisht ndaj variantit më të ri të virusit korona i cili njihet si Omikron, raporton Alsat.
Hulumtimet e fundit shkencore kanë treguar se doza e tretë përforcuese ka treguar efikasitet të lartë ndaj variantit të ri edhe atë 80% mbrojtje ndërsa ekspertët thonë se pragu I pranimit të dozës së tretë tanimë, është ulur nga 6 në 3 muaj.
“Doza e tretë, rekomandohet në mënyrë të qartë. Ai kufiri I tanishëm prej 6 muajsh pas marrjes së dy dozave paraprake tanimë po ndryshohet dhe doza e tretë mund të merret 3 muaj pas marrjes së cfarëdolloj vaksine tjetër. Nëse më parë kemi thënë se për disa vaksina vlen afati që 3 muaj pas marrjes së dy dozave të merret e treta, tani themi se edhe Brenda tre muajsh mund të merret doza e tretë, përfshirë këtu edhe personat që e kanë kaluar sëmundjen”, theksoi Milena Stevanoviq, Drejtoreshë e Klinikës për sëmundje Infektive.
Deri më tash në Maqedoninë e Veriut rreth 96,000 persona janë vaksinuar me dozën e tretë të vaksinës anti Covid.
“Tek grup mosha nga 18-64 vjet, përfshirja me dozën e parë të vaksinës është 46,7% ndërkaq me dy doza rezultojnë 45,1% e popullatës, gjegjësisht me tre doza të vaksinës anti Covid rezulton të jetë e vaksinuar 3,1% e popullatës vendore”, thonë nga Ministria e Shëndetësisë.
Personat të cilët e marrin dozën e tretë të vaksinës kundër virusit korona mund të pajisen me vërtetim për pranimin e të njëjtës, nga mjeku amë apo përmes faqes vakcinacija.mk
Ndryshe, Komisioni Evropian nga 1 shkurti I vitit 2022 ka miratuar rregullativë, e cila kushtëzon cdo kënd që dëshiron të hyjë Brenda shteteve të Bashkimit Evropian, të posedojë dokument I cili dëshmon pranimin e dozës së tretë të vaksinës anti Covid. Një rregullativë e tillë e KE-së vjen pas shpërndarjes së lartë të variantit Omikron, I cili po bëhet dominues në gjithë botën.