Gëzimi i udhëtimit për festat e fundvitit është kthyer në ankth për shumë njerëz, pas anulimit të fluturimeve masivisht në mbarë botën për shkak të pandemisë së koronavirusit.
Edhe pse u mendua se ky fundvit do të jetë ndryshe nga ai i mëparshmi, shfaqja e variantit Omicron riktheu ndjesinë e kufizimeve, duke krijuar një atmosferë tejet të pakëndshme për mijëra vetë.
Gjatë 24 orëve u anuluan 1 mijë e 400 fluturime.
Destinacionet më të goditura janë Shtetet e Bashkuara dhe Kina, sipas të dhënave të publikuara në një ueb faqe të aero kompanive.
Kompanitë ajrore amerikane thonë se anulimet janë rezultat i testimit të anëtarëve të personelit që kanë rezultuar pozitivë, ose që për shkak të dyshimeve, është dashur të izolohen.
Hong Kongu ka ndalur të gjitha fluturimet me Korenë Jugore për dy javë, pas identifikimit të rasteve pozitive në mesin e udhëtarëve nga ky shtet.
Në total, më shumë se 8 mijë fluturime janë anuluar prej të premtes, kur edhe nisi festimi i Krishtlindjeve.
Ndonëse numri i fluturimeve të anuluara është i vogël në krahasim me totalin e atyre që janë realizuar, kjo shifër është më e lartë sesa zakonisht dhe vjen në kohën kur shumë njerëz udhëtojnë për të kaluar kohë me familjen dhe miqtë.