Masa të reja për festat e fundvitit në Evropë

Frika nga përhapja e Omicron ka bërë që autoritetet e shumë vendeve europiane të shtrëngojnë masat kufizuese.

Referuar paralajmërimeve të ekspertëve, Hollanda është rimbyllur sërish nga 19 dhjetori deri pas Krishtlindjeve. Ndërsa në Francë, organizimet e Vitit të Ri do të anulohen dhe njerëzve i është kërkuar të bëhen grumbullime të vogla familjare darkën e festave. Edhe Londra ka anuluar festimet e planifikuara për Vitin e Ri për shkak të rritjes drastike të rasteve të variantit Omicron.

Shefi i OBSH-së paralajmëron për ngjarjet festive: Një festë e anuluar është më e mirë se një jetë e humbur

Kreu i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) ka paralajmëruar se festimet në shumë vende do të çonin në “rritje të rasteve, sisteme të mbingarkuara shëndetësore dhe më shumë vdekje” dhe u bëri thirrje njerëzve që të shtyjnë organizimet festive.

“Një ngjarje e anuluar është më e mirë se një jetë e humbur,” tha shefi i OBSH, teksa theksoi se varianti Omicron po përhapet më shpejt se varianti Delta dhe po shkakton infeksione te njerëzit tashmë të vaksinuar ose që janë shëruar nga sëmundja Covid-19.

Vaksina e Novavax bëhet vaksina e pestë që miratohet për përdorim në BE

Agjencia Europiane e Barnave ka miratuar zyrtarisht vaksinën e pestë kundër pandemisë së koronavirusit, pas atyre të prodhuara nga Pfizer, Johnson & Johnson, Moderna dhe Asta Zeneca.

Bëhet fjalë për vaksinën Nuvaxocid, e prodhuar nga ndërmarrja amerikane Novavax.

Bashkimi Europian ka porositur paraprakisht 200 milionë doza të kësaj vaksine që ka një përbërje deri diku tradicionale, pra jo të bazuar në ARN.

Rezultatet nga provat klinike të publikuara në qershor treguan 90.4% efikasitet kundër sëmundjes dhe 100% efikasitet kundër rasteve të rënda deri në mesatare.

FDA miraton ilaçin e Pfizer që trajton COVID-in

Administrata Amerikane e Ushqimit dhe Barnave dha miratimin për përdorim urgjent të ilaçit antiviral të kompanisë Pfizer kundër COVID-19.

Ky është trajtimi i parë që mund të merret në shtëpi dhe që pritet të bëhet një mjet i rëndësishëm në luftën kundër përhapjes me shpejtësi të variantit Omicron.

Provat klinike të Pfizer-it treguan se ilaçi i quajtur Paxlovid ishte 90% efektiv në parandalimin e shtrimeve në spital dhe vdekjeve te pacientët me rrezik të lartë për t’u prekur rëndë nga sëmundja. Të dhënat e fundit laboratorike sugjerojnë se ilaçi e ruan efektivitetin e tij edhe ndaj variantit Omicron.

Izraeli paralajmëron personat mbi 60-vjeç për dozën e 4 të vaksinës

Teksa Europa bën thirrje për aplikimin e dozës së tretë përforcuese, Izraeli njofton se një dozë e katërt për njerëzit mbi të 60-ve dhe personelin shëndetësor, është gati.

Rekomandimi erdhi nga grupi i ekspertëve të vendit, sipas të cilëve, doza shtesë do t’u jepet personave mbi 60 vjeç, punonjësve mjekësorë dhe njerëzve me një sistem imunitar të dobët.

Për ata që do të marrin dozën e katërt, kushti është që të kenë kaluar të paktën katër muaj nga doza e tyre e tretë.

Kina vendos “lockdown” për 13 milionë njerëz pasi zbuloi 52 raste me Covid

Deri në 13 milionë njerëz janë izoluar në qytetin Xi’an në Kinë, pasi autoritetet po përpiqen për të kontrolluar përhapjen e Covid-19 pasi u raportuan 127 infeksione.

Bllokimi i parakohshëm vjen para se në Pekin të organizohen Lojërat Olimpike Dimërore.

Të gjithë banorëve në Xi’an u ndalohet të dalin nga shtëpitë e tyre, përveç blerjes së gjërave të nevojshme për jetesë ose për raste urgjente, ndërsa udhëtimi për në dhe nga qyteti është pezulluar, përveç në rrethana të jashtëzakonshme që kërkojnë miratim zyrtar.