Ka vazhduar dhe këtë javë trendi i rënies së numrit të të infektuarve me Kovid19 në vend. Raporti javor i Institutit të Shëndetit Publik njofton se nga data 13-19 dhjetor janë regjistruar 1,922 raste të reja pozitive që është një rënie prej 8 % krahasuar me javën paraprake. Janë shëruar 1963 persona të cilët kanë qenë në hospitalizim apo në kurim shtëpiak. Por rastet e vdekjeve mbeten të larta.
“Janë regjistruar 66 viktima nga Kovid, në 22 qytete të vendit gjatë javës së shkuar. Numri i personave që kanë ndërruar jetë mbetet i pa ndryshuar në krahasim me një javë më parë. Pjesa më e madhe e tyre janë nga Shkupi, ndërsa sa i përket moshës mbi 60 vjeçare ndërsa edhe grup mosha nga 50-59 vjeçare ka regjistruar numër më të madh të viktimave”- thonë nga Instituti I Shëndetit Publik.
Ndërkohë Gjermania, Greqia dhe Austria kanë vendosur protokolle të reja udhëtimi për shtetasit e Maqedonisë së Veriut. Gjermania e hoqi vendin nga zona e “vendeve me rrezik”. Megjithatë, të gjithë personat mbi 12 vjeç që mbërrijnë në Gjermani, pavarësisht nga lloji i transportit, edhe më tej do të duhet të paraqesin vërtetim për test negativ ose vërtetim se personi e ka kaluar virusin Covid-19 ose certificatë për vaksinim të plotë. Nga ana tjetër Greqia dhe Austria shtrënguan masat:
“ Të gjithë udhëtarët mbi 5 vjeç gjatë hyrjes në Greqi, përveç certifikatës së vaksinimit ose asaj të kalimit të sëmundjes, duhet të posedojnë test negativ PCR (jo më të vjetër se 72 orë) ose test të shpejt negativ (jo më të vjetër se 24 orë). Ndërsa gjatë hyrjes në Austri, të gjithë personat duhet të paraqesin certifikatë të vaksinimit të plotë, ose dëshmi të dozës përforcuese ose dëshmi të kalimit të sëmundjes Kovid 19 (jo më të vjetër se 6 muaj), së bashku me një test negativ PCR (jo më të vjetër se 72 orë)”- pohojnë nga Ministria e Punëve të Jashtme.
Nga ana tjetër Komisioni Evropian miratoi rregullativë të re sa i përket vlefshmërisë certifikatave të vaksinimit. Nga 1 shkurti ceritifkatat do të vlejnë vetëm 9 muaj nga marrja e dozës së parë të vaksinës.