Ministri i Punëve të Jashtme i Republikë së Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, vlerëson se vendi ka nevojë për stabilitet politik dhe se zgjedhjet e parakohshme nuk janë zgjidhje.
Këto komente Osmani i bëri pas takimit me homologun e tij hungarez Peter Sijarto. Gjatë takimit dy ministrat diskutuan për zhvillimin e bashkëpunimit multisektorial ndërmjet dy vendeve, ndërsa theks i veçantë u vendos në aktualitetet në situatën e brendshme politike në vend si dhe ngjarjet e fundit në lidhje me integrimin evropian të Maqedonisë së Veriut dhe të rajonit.
Me këtë rast, Osmani përshëndeti suksesin e Presidencës sllovene në sigurimin e konsensusit për Raportet e Komisionit për vendet e Ballkanit Perëndimor, si dhe për konkluzionet e Bashkimit Evropian për rajonin, i cili është argument se pavarësisht sfidave të mëdha me të cilat përballemi, Bashkimi Evropian mbetet i pranishëm dhe i përkushtuar ndaj Ballkanit Perëndimor.
“Gjithsesi ky sukses i pjesshëm i Presidencës sllovene, të paktën këtu tek ne, hyri nën hijen e thellë të mos-suksesit të Unionit që të sigurojë konsensus në operacionalizimin e vendimit të tij nga marsi i vitit të kaluar për të filluar negociatat me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë. Jemi të vetëdijshëm se vendimet e Këshillit të BE-së merren me konsensus, por gjithnjë e më pak qytetarët e vendeve tona kanë mirëkuptim për atë se në çfarë mënyre dhe me çfarë argumentesh përdoret ky privilegj nga disa shtete anëtare”, theksoi Osmani.
Ministri hungarez Sijarto e riafirmoi mbështetjen hungareze me zotimet që e njëjta të vazhdojë po me këtë intensitet, në periudhën e mëtejmë. Dy ministrat konkluduan se integrimi i Ballkanit Perëndimor është një interes gjeostrategjik i Bashkimit Evropian, gjë që kontribuon në sigurinë dhe prosperitetin e të gjithë kontinentit dhe parandalimin e ndikimeve dhe interesave joadekuate nga vendet e treta.