Variani i ri i koronavirusit Omicron ka sjellë panik në Europë, e cila tashmë kërkon të ndalojë në valë të katër infektimesh duke rimarrë masat dhe rikthyer në fuqi shumë nga të mëparshmet.
Rasti më tipi është Holanda, e cila vendosi të rikthejë izolimin nga dita e diel, deri në datën 14 janar. Të dhënat që vijnë nga Amsterdami tregojnë se numri i rasteve me Omicron nga numri i përgjithshëm i infeksioneve dyfishohet çdo dy ose tre ditë. Ekipi kombëtar i menaxhimit të epidemive i ka rekomanduar qeverisë masa për të frenuar përhapjen e variantit Omicron dhe qeveria qendrore ka vendosur të marrë më të ashprën: bllokim deri më 14 janar.
Masat janë shtrënguar edhe në Danimarkë. Parlamenti miratoi kufizimet e shpallura nga kryeministrja Mette Frederiksen që përfshijnë mbylljen e teatrove, kinemave, sallave të koncerteve, parqeve argëtuese, muzeve dhe galerive të artit në të gjithë vendin për të frenuar përhapjen e koronavirusit.
Austria ka aplikuar një masë të re e cila nuk ka qenë më herët. Nga 20 dhjetori, në vend mund të hyjnë vetëm personat që kanë marrë dhe dozën e tretë të vaksinës. Ata që kanë marrë dy doza të vaksinës, apo janë shëruar nga koronavirusi, do të duhet të tregojnë një tampon negativ. Të pavaksinuarit do të duhet të qëndrojnë në karantinë për 10 ditë.
Vala e katërt e infektimeve ka anuluar festimet për vitin e ri në Francë. Kryebashkiaku i Parisit njofto se për shkak të situatës së krijuar nuk do të mbahet ceremonia e hedhjes së fishekzjarrëve në natën e ndërrimit të viteve dhe koncertet e planifikuara në Champs Elysee.
Në Britaninë e Madhe, autoritetet po shqyrtojnë mundësinë për vendosjen e një izolimi total dyjavor pas Krishtlindjes, që do të ndalonte grumbullimet, përveçse për motive pune. Ky lajm u dha nga “Times”, i cili shpjegon se masat mund të vendosen për shkak të numrit të lartë të infektimeve që po regjistrohet në ditët e fundit. Megjithatë, ky nuk është një qëndrim i kryeministrit Johnson, i cili më herët ka mohuar kategorikisht mbylljen.
Nga ana tjetër, Gjermania ka futur Britaninë e Madhe në listën e vendeve me rrezikshmëri të lartë për përhapjen e koronavirusit. Ky vendim nënkupton vendosjen e disa shtrëngimeve të udhëtimeve, të cilat hyjnë në fuqi mesnatën e së dielës. Një prej tyre është vendosja e karantinës 2 javë për këdo që mbërrin nga Britania, ndonëse mund të jetë i vaksinuar.