Ata që vuajnë nga dhimbje të lehta muskulare, gërvishtje në fyt dhe kollë e thatë mund të jenë të infektuar me variantin e ri të COVID, “Omicron”. Ky është përfundimi i një studimi nga shkencëtarët britanikë të botuar në gazetën “Independent”.
Ata sqarojnë se simptomat e pacientëve të infektuar me Omicron ka një ndryshim të madh nga pacientët me Delta. Sipas gazetës britanike, përpara pandemisë së COVID, nëse dikush kishte rrjedhje hundësh dhe dhimbje koke mund ta trajtonte atë si një ftohje të lehtë dhe të vazhdonte rutinën normalisht.
Por si mund të jeni të sigurt se kjo është një ftohje dhe jo Omicron?
Ftohja shkaktohet nga një lloj virusi i ndryshëm nga COVID. Por me variantin që konsiderohet shumë ngjitës, Omicron, që shpesh shkakton simptoma të lehta si hundë të zëna, dhimbje fyti dhe kollë të thatë është e vështirë të dallosh ndryshim pa kryer ekzaminimin e duhur.
Profesori Tim Spector i aplikacionit ZOE Covid në Britani tha se ishte më e rëndësishme se kurrë të bëhej një test COVID edhe nëse nuk keni simptoma. Nga ana e saj, Christina Marriott, CEO e Shoqërisë Mbretërore të Shëndetit Publik (RSPH), tha: “Gjithnjë e më shumë, njerëzit që kanë marrë dy doza të vaksinës priren të kenë simptoma më pak të rënda, si dhimbje koke, rrjedhje hundësh ose teshtima, dhimbje të fytit dhe humbje e nuhatjes”.
“Është e rëndësishme që njerëzit që janë vaksinuar plotësisht të qëndrojnë vigjilentë për simptoma të ngjashme me të ftohtin dhe t’i nënshtrohen një testi Covid nëse jetojnë ose punojnë me njerëz që i përkasin kategorive me risk më të lartë”.