Me 62 vota për, 22 kundër dhe 55 vota abstenim Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara ka miratuar rezolutën “Problemi i militarizimit të Republikës Autonome të Krimesë dhe qytetit të Sevastopol, Ukrainë, si dhe pjesëve të Detit të Zi dhe Detit Azov”.
Rezoluta i kërkon Federatës Ruse, si pushtuese, të tërheqë menjëherë dhe pa kushte forcat e saj të armatosura nga Krimea dhe të pezullojë pushtimin e Ukrainës.
Votimin e kësaj rezolute e ka përkrahur dhe Serbia, gjë që ka bërë të reagojë në Twitter edhe shefi i personelit të Presidencës së Kosovës, Blerim Vela.
Sipas Velës, Serbia i ka mbajtur edhe një herë anën e Rusisë gjatë votimit të kësaj rezolute.
“Serbia ka mbajtur edhe një herë anën e Rusisë në votimin e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së për militarizimin e Republikës Autonome të Krimesë dhe Sevastopol, Ukrainë, si dhe pjesë të Detit të Zi dhe Detit Azov të militarizuara nga Rusia në territoret e okupuara të Ukrainës”, ka reaguar Vela.
Dokumenti në fjalë u mbështet nga të gjitha vendet demokratike dhe tradicionalisht u kundërshtua nga Rusia, Armenia, Bjellorusia, Kina, Kuba, Irani, Mianmari, Siria, Venezuela, Zimbabve.
Po ashtu, rezoluta u bën thirrje të gjitha shteteve dhe organizatave ndërkombëtare dhe agjencive të specializuara që të përmbahen nga çdo vizitë në Krime që nuk është në pajtim me Ukrainën.