Një urim kontravers në politikën amerikane

Një kongresmen amerikan postoi të shtunën një foto të tij dhe të familjes së tij duke pozuar me armë rreth një peme të Krishtlindjes, vetëm disa ditë pas të shtënave në një shkollë të mesme në Miçigan dhe vrasjes së katër adoleshentëve, raporton Reuters.

“Gëzuar Krishtlindjet! P.S. Santa, na sill municione,” shkroi kongresmeni republikan Thomas Massie nga Kentaki në Twitter, krahas një fotoje të postuar.

Ethan Crumbley, 15 vjeç, qëlloi dhe u morri jetën katër nxënësve të shkollës së mesme në Oksford, një qytet i vogël në Michigan, të martën me të shtëna nga një pistoletë gjysmë automatike.

Gjashtë nxënës të tjerë dhe një mësues u plagosën. Ngjarja ndezi sërish debate të nxehta për sigurinë e shkollës, kontrollin e armëve dhe të drejtën për të pasur armë.

Massie, ndërkohë, postoi një foto të tij dhe gjashtë të tjerëve duke mbajtur një mitraloz të ngjashëm me M60, një pushkë gjysmë automatike AR-15 dhe një mitraloz Thompson.

Disa armë gjysmë automatike janë bërë që të duken pothuajse identike me armët automatike.

Sipas ligjit të SHBA-së, armët si mitralozët janë të kufizuara për ushtrinë, policinë dhe civilët që kanë marrë leje speciale për armët e prodhuara para majit 1986.

Postimi i tij u dënua nga shumë zyrtarë amerikanë.