
Organizata Botërore e Shëndetësisë paralajmëroi se varianti i ri i koronavirusit Omicron paraqet rrezik të madh për rritjen e infeksioneve në të gjithë botën. OBSH-ja tha se varianti mund të çojë në pasoja të rënda në disa rajone. Drejtori i organizatës, bëri thirrje për shpërndarjen e vaksinave në vende të varfra. Varianti Omicron u zbulua në Afrikën e Jugut në fillim të këtij muaji. Të dhënat e para sugjerojnë se numri i madh i mutacioneve të tij mund ta ndihmojë atë që të shmangë përgjigjen e sistemit imunitar dhe të rrisë aftësinë e tij për t’u përhapur nga një person në tjetrin. “Omicron ka një numër të paprecedentë mutacionesh – disa prej të cilave janë shqetësuese për ndikimin e mundshëm në trajektoren e pandemisë”, tha OBSH-ja. Raste të infektimit me këtë variant kanë raportuar tashmë disa vende, përfshirë Kanadanë, Britaninë e Madhe, Portugalinë, Belgjikën, Republikën Çeke dhe Holandën.