Nga 1 dhjetori një qese do të kushtojë 15 denarë

Nga 1 dhjetori qeset plastike duhet të hiqen përfundimisht nga përdorimi, ndërsa në vend të tyre çdo shitës duhet të shfrytëzojë qese të biodegradueshme, për të cilët qytetarët do të duhet të paguajnë 15 denarë copën. Ky vendim është mirëpritur nga qytetarët edhe pse theksojnë se çmimi i qeseve duhet të ishte më i ulët. Ata thonë se nga e mërkura një qese do të jenë të detyruar ta paguajnë sa një kilogram mollë.

“Unë mbaj gjithmonë torbë. Shfrytëzohen aq shumë qese që nuk janë të biodegradueshme dhe nuk është në rregull kjo gjë. Unë mbaj torbë, kjo është material xhinsi, kam edhe 10 të tjera në shtëpi. Pajtohem me masën, tani, ndoshta çmimi nuk është në rregull, por le të gjinden qytetarët le të bëjnë diçka. Ndoshta do të japë rezultat, por njerëzit nuk kanë para”, thotë një qytetar.

“Në vend të qeseve do të marrim torbë. Por edhe tërë kohën nuk mund të mbajmë torbë, ja tani duhet qese të marr. 15 denarë, aq sa të jetë. Është shtrenjtuar gjithçka edhe kjo le të shtrenjtohet”, thotë qytetari.

“Shtrenjtë është 15 denarë. Nuk është mirë”, u shpreh një qytetare.

Edhe shitësit, kryesisht e mirëpresin këtë vendim. Ata thonë se deri tani kanë shpenzuar për qese, por nuk kanë faturuar konsumatorët për të njëjtat. Sipas tyre, deri sa qytetarët të mësohen të marrin torba, pakënaqësinë do t’ua shprehin atyre.

“Këtë e mirëpresim. Është dashur edhe shumë më herët të bëhet kjo. Por sa do të realizohet kjo, sepse edhe me herët ka pasur tentative për të hequr qeset plastike, por kjo nuk besoj se do të zbatohet. Me këtë vendimin që kanë sjellë 15 denarë, është shumë mirë. 05:05 Shumë më mirë, mere torbën prej në shtëpi dhe dil për pazar. Kjo edhe 15 denarë është pak, edhe më shumë të ishte që të vetëdijesohen njerëzit”, tha një shitës.

“Jo, nuk ka na informuar askush. Nuk na leverdis aspak, nuk dimë si t’u shërbejmë klientëve. Do t’i vijë, një kilogram mollë me një qese”, theksoi një tjetër shitës.

Nga Ministria për Mjedis Jetësorë thonë se prodhuesit e qeseve plastike mund të vazhdojnë të punojnë edhe më tej, por duke respektuar standardin e përcaktuar për biodegradueshmëri. Trashësia e qeseve që do të përdoren, nuk duhet të jetë më shumë se  15 mikron.

Paratë e mbledhura nga shitja e qeseve do të shkojnë në një fond të veçantë që do të investohet në mjedis, por do të investohet edhe në ndërgjegjen e qytetarëve se si të menaxhojnë mbeturinat. Nga ky dikaster thonë se Ideja është që ai që ndot edhe të paguajë.