
Nis, këtë të hënë, qarkullimi i automjeteve në Rrugën e Arbrit. Lajmi është bërë i ditur nga kryeministri Rama, i cili ishte në tunelin e Murrizit, në prani edhe të ministres Balluku, për të inauguruar këtë vepër.
Aktualisht, provizorisht kalohet me bajpas në Tunelin e Murrizit. “Për shkak të formacioneve gjeologjike komplekse, puna ka ecur më ngadalë dhe përfundon në pranverë, kur rruga do të bëhet për vetëm 47 minuta, nga 1 orë e 20 minuta që bëhet sot ose nga 4 orë që bëhej deri dje”, bën të ditur Rama.
Ndërkohë, në 109-vjetorin e Pavarësisë nisi puna edhe për ndërtimin e aeroportit të Vlorës, që do të jetë edhe më i madhi në vend.
Konsorciumi që do ta ndërtojë është kryesisht shqiptar dhe drejtohet nga sipërmarrësi Behgjet Pacolli, ndërsa operimi është marrë përsipër nga Aeroporti i Mynihut. Kryeministri Rama e quajti Aeroportin e Vlorës një vepër historike jo vetëm për qytetin, por edhe për Shqipërinë dhe Kosovën.
