Sot në vendin e quajtur Pernik në Bullgari ka ndodhur një aksident i tmerrshëm i një autobusi nga Maqedonia e Veriut, ku nga përplasja e autobusit me mbrotjëset e rrugës kanë humbur jetën 45 njerëz të Maqedonisë së Veriut ndërsa 7 tjerë janë lënduar dhe janë akomoduar në spitalin më të afërt, njofton Telegrafi Maqedoni.
Kur?
Aksidenti ka ndodhur në mëngjesin e ditë së sotme-e martë (23 nëntor, 2021)
Ku?
Gjatë udhëtimit nga Stambolli për në Shkup, autobusi i kompanisë Besa Trans me 52 persona ka humbur kontrollin dhe është përplasur me mbrojtëset e rrugës dhe pastaj i njejti është djegur. Autobusi ka dalë nga autostrada Struma në afërsi të fshatit bullgar Bosnek, afër Pernikut.
Pse?
Arsyet e sigurta dhe zyrtare nuk dihen pasi do të duhet që zyrtarisht të merren autoritetet bullgare dhe maqedonase, të cilët janë në terren. Por, sipas ekspertëve nga Bullgaria, autobusit i ka plasur goma e përparme djathtas, e më pas është përplasur në parmakë dhe është zvarritur. Në atë moment është derdhur karburanti pasi në autobus ka punuar ngrohja. Ka rënë zjarr dhe ka ndodhur aksidenti fatal për pasagjerët.
Kush?
Emrat e viktimave dhe të të lënduarve nuk dihen me siguri por nga informacionet e para bëhet fjalë për 45 të vdekur, ku mbi 12 janë të rinj kurse tjerët janë të moshës madhore. Në mesin e viktimave ka një familje 4 anëtarëshe, dhe 8 persona janë me të njejtin mbiemër.
Gjatë ditës do të ketë informacione më të detajuara për këtë temë por këto janë informacionet e para për këtë ngjarje tragjike. Zyrtarë nga Maqedonia dhe nga Bullgaria janë duke u marrë me detaje rreth aksidentit. Prokuroritë e dy vendeve kanë dërguar ekspertë. Vendet e NATO-së i kanë shprehur Maqedonisë së Veriut gatishmërinë për të ndihmuar.