Evropa rikthen masat kundër Covid-19

Rritja e numri të të infektuarve me COVID-19 ka shtyrë disa shtete që të riaktivizojnë masat kufizuese për mbrojtje nga virusi korona. Në shtatë ditët e fundit, mbi 2,1 milionë raste janë regjistruar në Evropë, që është numër më i Iartë krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.

Raste të reja me COVID-19 në 24 orët e fundit
Rusia               39 356 raste
Ukrainë           23 572 raste
Poloni               14 292 raste
Austri               13 652 raste
Blegjika           10 768 raste
Slovenia          3  666 raste

Austria është gati të ndërmarrë ndoshta hapin më vendimtar. Parlamenti pritet të debatojë një masë këtë fundjavë që do të kufizonte lëvizjen e qytetarëve që nuk kanë marrë dy doza të vaksinës ose nuk kanë kaluar virusin.
Holanda ka njoftuar për masën e izolimit të pjesshëm tre javor për luftim të pandemisë së koronavirusit. Kjo masë do të vlejë për dyqanet, aktivitetet sportive dhe restorantet. Autoritetet kanë thënë se fatmirësisht shumica e popullsisë holandeze është vaksinuar, mirëpo izolimi i pjesshëm do të hyjë në fuqi në mbrëmjen e së dielës. Dyqanet jo të domosdoshme do të duhet të mbyllen në orën 18:00, derisa dyqanet ushqimore, kafeteritë dhe restorantet në orën 20:00.
Në Gjermani, autoritetet kanë bërë thirrje për anulimin e eventeve të mëdha. Teatrot, muzetë dhe ngjarjet në natyrë me më shumë se 2,000 vizitorë, si lojërat e futbollit, do të jenë të ndaluara për të rriturit e pa vaksinuar. Ndërsa qytetarëve të pa vaksinuar dhe atyre që nuk kanë kaluar virusin korona u mohohet hyrja në shumë objekte.

Për të katërtën ditë me radhë Rusia regjistron mbi 1200 viktima në bazë ditore. Institucionet në Rusi kanë përgatitur masa të reja kufizuese, por shumica e tyre do të nisin zbatimin në muajin shkurt. Ndërsa, urdhrat e qëndrimit në shtëpi janë lëshuar për të moshuarit. Zyrtarët thonë se shkalla e lartë e infeksionit është pasojë e hezitimit të rusëve për t’u vaksinuar. Numri i përgjithshëm i të infektuarve në Rusi është afër 9 milionë, ndërsa i viktimave është mbi 254,000. Organizata Botërore e Shëndetësisë tha se numri i viktimave javën e kaluar është rritur për 10 për qind dhe vdekjet në baza ditore janë mbi 4,000.