Pas një muaji heshtje, Komisioni për Sëmundje Infektive mbajti takim, por nuk rekomandoi masa kufizuese.
Megjithëse, jemi në valën e pestë të pandemisë, autoritetet shëndetësore bëjnë thirrje që të vaksinohet 2/3 e popullsisë, që ende nuk është imunizuar.
Komisioni vuri theksin tek parandalimi i përhapjes së virusit korona, sidomos në ambiente të mbyllura pasi vlerëson se grumbullimet familjare janë shpeshtuar, ndërsa do të shtohen edhe më shumë për festa. Ministri Shëndetësisë Venko Filipçe tha se masat aktuale janë të mjaftueshme dhe duhet të respektohen.
“Kështu që tash për tash mbeten masat e njëjta, por apelojmë që t’i gjithë të respektojnë ato. Tani vjen periudha e manifestimeve familjare, andaj ju bëjmë thirrje qytetarëve që sikur më parë edhe këtë vit nëse munden mos të mblidhen në ahengje të mbyllura apo nëse organizohen të jenë në numër sa më të pakët në gjirin e ngushtë familjarë. Për shkak se tubime të tilla masive janë rrezik të mos respektohen masat dhe situata epidemiologjike mund të përkeqësohet”, tha Venko Filipçe, Ministër i Shëndetësisë
Nga Ministria Shëndetësisë njoftojnë se në periudhën nga 6 gushti deri në 11 nëntor, 29% e të diagnostikuarve pozitiv kanë qenë plotësisht të vaksinuar. Sipas statistikës vdekshmëria tek të pa vaksinuarit ka arritur në 80%. Nga 1,434 viktimat gjatë kësaj periudhe 354 ishin të vaksinuar.
“Rreth 80% e të gjithë pacientëve që janë të hospitalizuar deri më tani janë të pa vaksinuar dhe ata pacientë tani cenojnë mbingarkesën e kapaciteteve spitalore. Një fakt është karakteristik në krahasim me valët tjera ku përqindja e pacientëve të hospitalizuar është më e ulët në raport me rastet e reja pozitive. Në valët paraprake kishte 10%, ndërsa tani vetëm 6% e të prekurve me virusin korona kanë nevojë për kurim spitalor”, theksoi Filipçe.
Por, interesimi i qytetarëve për vaksinim nuk shënon rritje. Vaksina rezervë ka mjaftueshëm, ndërsa për shkak të afatit të skadencës, porositja e të tjerave është e reduktuar.
Madje vaksina ruse Sputnik V, është hequr nga lista furnizimeve meqë certifikata e udhëtimit me këtë vaksinë nuk po pranohet në shumicën e shteteve të BE-së dhe në SHBA.
Sipas raportit të fundit për këto dy ditë janë dhënë 7.169 vaksina, prej tyre 1,389 për dozën e parë, pothuajse aq edhe janë rivaksinuar, ndërsa 3,433 të tjerë kanë marrë dozën e tretë.
Që nga fillimi i imunizimit të popullsisë mbi 812 mijë qytetarë kanë marrë një, dy apo tri doza. Sipas numrit të vaksinave të dhëna, 37% e popullsisë është e imunizuar plotësisht.