Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, u ka dërguar një letër konfidenciale të gjithë ambasadorëve francezë të atashuar në vendet brenda Bashkimit Evropian, ku u vendos një ultimatum mbi hapjen e procesit të negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut brenda vitit 2021.
Sipas burimeve konfidenciale të Albanian Post nga Elysee-ja, dy data janë caktuar nga Macron.
Afati për zgjidhjen e ngërçit mes Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut duhet të jetë 14 dhjetori.
Pra, dy vendet ballkanase duhet të arrijnë brenda kësaj date një marrëveshje mbi veton bullgare ndaj maqedonasve, e cila pengon rrjedhimisht edhe Shqipërinë të hapë negociatat.
Data e dytë është ajo e 31 dhjetorit. Brenda fundit të vitit, Macron ka kërkuar që hapja e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, të jetë e faktuar.
Simbolika e datës 14 është ajo e mbajtjes së mbledhjes së shefave të vendeve të Bashkimit Evropian. Nëse marrëveshja arrihet brenda saj, atëherë unioni mund të konfirmojë nisjen faktike të integrimit për Tiranën dhe Shkupin.
Një agjendë intensive takimesh pritet të kryhet nga ambasadorët francezë në vendet e BE-së gjatë muajit të fundit të mbetur, deri më datë 14 dhjetor.
Ky është edhe një ndër hapat më konkretë që merret prej kohësh nga një vend anëtar pro-Shqipërisë mbi hapjen e negociatave.
Mendohet se arsyeja kryesore e kësaj shtytjeje nga Elysee-ja është fakti që Franca merr Presidencën e unionit më 1 janar 2022.
Për këtë arsye, Parisi nuk dëshiron të marrë me vete një problem të shkuar të pazgjidhur.
Mbi këtë premisë, Macron ka marrë edhe aprovimin e zërave drejtues më të lartë brenda BE-së. Mes të shumtëve, edhe atë të kancelares gjermane në largim, Angela Merkel.
Gjithsesi, Maqedonia e Veriut në këtë çast është në një situatë të paqartë.
Kryeministri Zoran Zaev ka deklaruar se do të dorëhiqet nga posti drejtues i shtetit, por ai ende nuk e ka protokolluar vendimin.
Një skenar i rënies së qeverisë maqedonase brenda vitit, është i mundshëm nga ana tjetër, duke parë zhvillimet ditore dhe dinamikat në politikën e shtetit fqinj.
Në një rast të tillë, hapja e negociatave në dhjetor humbet. Po ashtu, të dy vendet do ta kenë të vështirë ta rikuperojnë situatën.
“Dorëheqja” e Zaev-it
Zoran Zaev e deklaroi menjëherë pas zgjedhjeve dorëheqjen e tij, por më pas ai hezitoi mbi të.
Sipas një zyrtari të lartë nga partia socialdemokrate LSDM kanë qenë Merkel dhe Macron, ata të cilët e kanë shtyrë kryeministrin maqedonas të rimendojë situatën.
Në një intervistë për median maqedonase “Focus”, sipas zyrtarit, i cili mbetet në kushte anonimati, dy liderët evropianë e kanë garantuar atë se negociatat do të hapen brenda dhjetorit.
Kjo do të ishte e logjikshme edhe me linjën që Macron po ndjek me ambasadorët e tij.
Vetë hezitimi i beftë i Zaev-it ka ngjallur dyshime mbi arsyen se pse ai nuk po e protokollon dorëheqjen.
Kryeministri maqedonas, gjatë ditëve të fundit, ka pasur takime me aleatët kryesorë të koalicionit, përfshi Ali Ahmetin e BDI-së. Por, detaje mbi këto takime, nuk kanë dalë në sipërfaqe.
Ngërçi
Rrugëtimi i Shqipërisë drejt BE-së ka qenë gjithnjë i lidhur me atë të Maqedonisë së Veriut.
Gjatë viteve të fundit veçanërisht, ngërçet kryesore janë hasur në dy drejtime.
Deri në vitin 2020, një sërë vendesh mendonin se Shqipëria ende nuk i kishte përmbushur plotësisht kushtet për nisjen e integrimit.
Ky fakt e penalizonte edhe Maqedoninë e Veriut, e cila shihej si e lidhur drejtpërdrejt me Shqipërinë.
Sakaq, nga ana tjetër, edhe maqedonasit kanë pasur problemet e tyre.
Ai, më i madh parësor, u zgjidh me marrëveshjen e Prespës më 17 qershor 2018. Prej saj, një akord me Greqinë – e cila asokohe kishte një veto aktive ndaj Shkupit – u arrit mbi çështjen e emrit.
Ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë u kthye në Maqedoni e Veriut. Kjo i dha dritën jeshile nga pala greke maqedonasve për anëtarësimin në NATO dhe hapjen e negociatave me BE-në.
Mirëpo, me marrjen e mëtejshme të dritës jeshile nga ana e Shqipërisë, maqedonasve u lindi një tjetër problem, këtë herë me Bullgarinë.
Si pjesë e unionit, bullgarët përdorën pushtetin e vetos për të bllokuar negociatat me Maqedoninë e Veriut. Shkaku? Një mosmarrëveshje mbi historinë mes dy vendeve.
Ndaj, këtë herë, për shkak se rruga e Shqipërisë shihej si e lidhur me atë të MV-së, Tirana zyrtare u penalizua.
Në mars 2020, Shqipëria e pati marrë po-në nga Këshilli i Ministrave të BE-së për hapjen e negociatave. Kjo, edhe pse me disa kushte.
Kushte këto, të cilat më pas, siç është theksuar nga vetë zyrtarë të lartë të BE-së, u plotësuan.
Sot, prej disa muajsh, të dy vendet gëzojnë mbështetjen e plotë të unionit mbi fillimin e procesit. Por, pala bullgare është e vetmja që e pengon atë.
Nëse ngërçi zgjidhet, e qartë është bërë shumë herë se tym i bardhë mbi negociatat do të dalë. Në të kundërt, vendet ende duhet të presin.