Strugë, alarmante gjendja me Covid-19

Është i madh numri i mërgimtarëve nga Ohri dhe Struga që nuk mund të kthehen në vendet ku jetojnë dhe punojnë, sepse pasi e bëjnë testin e detyrueshëm PCR, vërtetohet se janë pozitivë me kovid, thonë epidemiologët për Alsat. Ato vendosen në karantinë dhjetë ditore dhe njoftohen Ministria e Brendshme dhe Dogana. Vetëm të shtunën, nga 280 teste të kryera në Qendrën e Shëndetit Publik në Ohër, 28 ishin pozitiv. Aktualisht janë 29 të shtruar në spitalin modular në Strugë. Dje, në kushte spitalore kanë vdekur katër struganë.

Raste shtesë pozitive ka edhe pas analizave në dy pikat në aeroportin e Ohrit. Kishte edhe familje të tëra. Qytetarët janë të vetëdijshëm për problemin.

“Kjo është për shkak të këtyre tubimeve, dasmave, festimeve, festave në shtëpi. Jam i vaksinuar dhe i rivaksinuar dhe them që të gjithë të vaksinohen. Kjo duhet bërë, përndryshe kjo murtajë nuk do ndalet… “

“Duhet të vaksinohen, nuk ka rrugëdalje tjetër. Kush nuk ka frikë? Tani thonë se është edhe më keq se sa ishte. Edhe pse jam i vaksinuar dy herë, përsëri kam frikë.”

Në Strugë, numri i kontrolleve ambulatore ditore të pacientëve me simptoma të kovidit është i lartë. Vetëm dje ai numër ishte 112. Edhe në Ohër është kritike. Kanë mbetur vetëm gjashtë shtretër të lirë në spitalin modular. 44 pacientë janë hospitalizuar, ndërsa më i riu është 40 vjeç./Alsat